Kryeministri Edi Rama u shpreh sot në fjalën e mbajtur në panelin me temë “Rugova dhe Perëndimi”, se Kosova duhet të dalë nga loja “macja me miun” në tryezë me Serbinë.

“Nëse Kosova do të dilte nga kjo lojë macja me miun në tryezë me Serbinë dhe me një ekip uniteti do t’i drejtohej Bashkimit Europian duke thënë ne nuk duam të flasim më me Serbinë se nuk kemi çfarë të flasim me Serbinë, ne jemi këtu për të folur me BE-në për të përmbushur të gjitha detyrimet që kemi ne si Republikë e Kosovës në kontekstin e standardeve ndërkombëtare dhe të standardeve të BE-së dhe për t’u afruar me ju. Pastaj se çfarë bën Serbia është punë e Serbisë, shkoni merruni me Serbinë”, tha Rama.

“Por ky konfrontimi macja me miu në tavolinë, këto mbledhjet për t’u mbyllur brenda me orë vetëm për të dalë pas mbledhjes për të thënë se sa fortë i qëndrova unë tjetrit, në mënyrë të dyanshme kuptohet, këto nuk çojnë asgjëkundi”, tha Rama.

Kryeministri theksoi se “nuk e kupton dhe nuk ka për ta kuptuar ndonjëherë se çfarë lidhje ka e ardhmja e Kosovës, çdo detyrim që ka Kosova jo në raport me Serbinë por në raport me vetveten, në raport me standardet e një vendi që kërkon të hyjë në NATO dhe BE, me çfarë bën e çfarë nuk bën dhe çfarë i pëlqen dhe nuk i pëlqen Serbisë”.

“Serbia mund të mos dojë kurrë që t’i qaset idesë se duhet të njohë Kosovën, por kjo nuk duhet ta pengojë Kosovën që të përparojë në pikën ku të gjithë ta pranojnë dhe njohin si një shtet model që përmbush të gjitha standardet për të qëndruar bashkë me të tjerët në komunitetin e shteteve”, tha Rama.

Rama shprehu bindjen se kjo gjë nuk është fantazi, kjo gjë është e arritshme.

“Jam i bindur se kjo do ta nxirrte Kosovën nga kurthi ku e ka futur Serbia me provokimet e veta të vazhdueshme, por edhe ku në njëfarë mënyre është futur për shkak të shfrytëzimit të politikës së jashtme si politikë e brendshme”, tha Rama./ata