Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot jemi në një proces ku thellohet gjithmonë e më shumë e në një formë gjithmonë e më shqetësuese qasja e politikës së jashtme si politikë e brendshme dhe kjo sipas tij, “po e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve ndërkombëtarë”.
Në fjalën e mbajtur në Konferencën Ndërkombëtare “Rugova dhe Perëndimi” për 25-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s, Rama u shpreh se “koha më e suksesshme e Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare si një subjekt edhe pse jo ende i njohur nga shumë shtete si një shtet i pavarur, por si një subjekt në tryezë, ka qenë koha e të ashtuquajturit Ekipi i Unitetit”.
“Ibrahim Rugova duke e parë me sytë e të sotmes, e thashë edhe më parë që është një figurë që sa më shumë kalon koha aq më shumë bëhet e madhe dhe duket e paarrritshme, nuk e shfrytëzoi personalitetin e tij ndërkombëtar, faktin që ishte njeriu të cilit i hapeshin dyert si person edhe kur për Kosovën, ata që e prisnin dëgjonin për herë të parë, ndoshta për të bërë politikë të brendshme me politikën e jashtme”, shtoi Rama.
Përkundrazi, Rama theksoi se “në mënyrë shumë modeste, ai u ul si një anëtar i një ekipi uniteti ku të gjithë ishin të barabartë”.
“Ajo ka qenë koha kur Kosova ka arritur sukseset e saj diplomatike dhe ka arritur ta mundi Serbinë në tavolinë. Sot ne jemi në një proces ku thellohet gjithmonë e më shumë e në një formë gjithmonë e më shqetësuese qasja e politikës së jashtme si politikë e brendshme dhe shfrytëzimi i platformave të komunikimit jashtë si tribuna për të marrë vota këtu”, tha Rama.
Kjo, sipas tij, “patjetër që mund të ketë sukses elektoral, por kjo e lë Kosovën me gjithmonë e më pak besim nga ana e miqve dhe aleatëve ndërkombëtarë”./ata