Ministria e Mbrojtjes së Rusisë njoftoi se është rrëzuar një avion luftarak Su-34 në Republikën e Osetisë së Veriut-Alanisë, pjesë e Federatës Ruse ndërsa dy pilotë humbën jetën.

Në deklaratën e ministrisë thuhet se avioni luftarak Su-34 i Forcave Ajrore dhe Hapësinore Ruse u rrëzua në një zonë të shkretë gjatë një fluturimi të planifikuar stërvitor në rajonin malor të Republikës së Osetisë së Veriut-Alanisë. Mësohet se të dy pilotët e avionit kanë humbur jetën.

Sipas të dhënave fillestare, avioni është rrëzuar për shkak të një mosfunksionimi teknik dhe në vendngjarje ka shkuar një delegacion i Ministrisë së Mbrojtjes.

Avionët bombardues supersonikë me pilotë të dyfishtë Su-34 të prodhimit rus u zhvilluan për t'u përdorur në sulme ajrore me precizitet të lartë, përfshirë armët bërthamore.

Su-34 përdoret kundër caqeve tokësore dhe ajrore ditën, natën dhe në kushte të ndryshme./aa