Himni shtetëror i Kosovës sot mbush 16 vjet nga miratimi në Kuvendin 120 anëtarësh që kishte shpallur pavarësinë më 17 shkurt 2008.

Propozimi me shifrën “Europa” u miratua më 11 qershor 2008 në një seancë të veçantë si himn shtetëror me 72 vota pro, 15 kundër dhe 5 abstenime.

Kur ishte propozuar melodia e autorit Mendi Mengjiqi, himni ka pasur edhe vargjet e shkruara, por për shkak të kufizimeve nga pakoja e ish-presidentit Martti Ahtisaari, komisioni përzgjedhës ishte detyruar ta hiqte tekstin.

Zgjedhja e tekstit për himnin shtetëror do të kishte qenë një detyrë e vështirë, sepse shumica e popullsisë në Kosovë janë shqiptarë. Serbët janë grupi i dytë më i madh etnik. Qeveria theksoi se asnjë grup etnik nuk duhet të diskriminohet, duke e shpallur shtetin “republikë demokratike, laike dhe multietnike” gjë që e bënte të vështirë gjetjen e një teksti i cili nuk do të favorizonte asnjë grup etnik mbi një grup tjetër.

Probleme të ngjashme janë shfaqur gjatë zgjedhjes së flamurit të Kosovës. Për më tepër, rregullat gjithashtu thonë se propozimi “Nuk duhet të jetë i ngjashëm me ndonjë himn apo këngë popullore e cilitdo vend, ose himnin e cilësdo parti politike, lëvizje apo institucion të Republikës së Kosovës, ose të implikojë besnikëri ndaj ndonjë bashkësie etnike të Republikës së Kosovës”.

/KosovaPress/