Lufta në Lindjen e Mesme midis Izraelit dhe Hamasit ka arritur në ditën e 248-të dhe mediat kanë raportuar se Hamasi ka urdhëruar të eliminohen të gjithë pengjet, nëse mendojnë se po vijnë forcat armike. Kjo qasje e frikshme, i gjithë konflikti disamujor Izrael-Hamas dhe ndikimi i SHBA-së e botës në zgjidhjen e tij, u diskutuan në studion e Ditarit me Bruna Çifligun në A2 CNN, me diplomatin Spartak Topollaj.

Diplomati foli për raportin Shqipëri-Palestinë dhe paradoksin e mosnjohjes së Kosovës nga udhëheqja palestineze, pavarësisht se Shqipëria e ka njohur këtë shtet që në 1988, e ka ndihmuar dhe ka stërvitur qindra luftëtarë.

“Në mënyrën më paradoksale palestinezët që ne i kemi njohur që në 1988. Shqipëria e ka njohur autoritet e shtetit palestinez kur president ishte Arafati. Më parë u prit numri dy, Abu Xhihad në (rezidencën qeveritare në Vlorë). Janë mbajtur në Shqipëri qindra luftëtarë të Al Fatahut, janë stërvitur në Shkollën e Bashkuar, janë pajisur me armë. Shqipëria e varfër ka dhënë milionë dollarë, nuk i ka dhënë Enver Hoxha. Ishin djersa e mundi i shqiptarëve të varfër. I kemi ndihmuar dhe në mënyrë paradoksale kjo udhëheqësi palestineze nuk njeh Kosovën. I njohin vetes të drejtën të luftojnë kundër Izraelit ngaqë nuk i lidh asgjë me Izraelin ata janë hebrenj, këta janë arabë dhe Kosova nuk ka të drejtë”.

Ai sjell në vëmendje një qejfmbetje të Palestinës për abstenimin e Shqipërisë në OKB në kohën kur kryeministër ishte Sali Berisha dhe debatin që vetë Topollaj ka bërë me sekretarin e Ligës Arabe në Kajro.

“Unë kam bërë një debat me sekretarin e përgjithshëm të Ligës Arabe, dhe ishte rasti i 100 vjetorit të pavarësisë tonë dhe kryeministri Berisha dërgoi që të marr pjesë dhe shkuam në zyrën e tij në Kajro dhe ai na priti me këmbët e para, na tha; më ka mbetur hatri nga kryeministri Berisha, si ka abstenuar për një votim në OKB për Palestinën? Dhe unë i thashë që ka bërë shumë gabim, duhet të kishte votuar kundër dhe ju jo vetëm që nuk njihni Kosovën dhe i tregova deklarata në mbrojtje të Serbisë”.

Sipas diplomatit, Palestina nuk ka asnjë justifikim për mosnjohjen e Kosovës.

“Ne njohim integritetin e Serbisë thonë ata. I tregova vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë që njeh pavarësinë e Kosovës dhe shtetet që e njihnin deri në atë kohë. Unë ia thashë troç; ju keni të drejtë të luftoni për liri e shtet, po shqiptarët çfarë  lidh me Serbinë? Ata  janë sllavë. Ata nuk gjejnë dot asnjë justifikim dhe nuk kanë asnjë alibi”.

Duke folur për konfliktin në Lindjen e Mesme diplomati Topollaj thekson se ka ardhur koha që kjo luftë të ndalet. Sipas tij arabët dyshojnë se SHBA po bën lojë të dyfishtë.

“Ka ardhur momenti që do të ndalet lufta edhe nga Izraeli nën presionin amerikan dhe këtu është roli i Amerikës. Që Izraeli është mbajtur në këmbë ka qenë furnizuar me armë të sofistikuara amerikane. Arabët kanë një qëndrim; ata dyshojnë që amerikanët publikisht deklarohen që Izraeli do të ndalë luftën. Nga ana tjetër mendojnë se SHBA i thotë izraelit vazhdo bjeri Hamasit që është organizatë terroriste duke qenë se janë të bindur që SHBA po bën lojë të dyfishtë nuk binden kollaj”.

I pyetur në lidhje me teoritë konspirative se Netanjahu po shfrytëzon 7 tetorin për të spastruar territorin e Palestinës, Topollaj ngre disa pikëpyetje.

 

“Kjo teori konspirative lindi herët që në ditët e para se të gjithë mendonin se Mosadi ka qenë ndër shërbimet më të fuqishme të inteligjencës dhe duke pasur raporte të ngushta me CIA-n, duhet të dinte diçka. Fakti që po zbulohen përditë tunele me km të tëra që dalin në Egjipt me 5-6 km, si u ndërtuan kështu kur Mosadi që në vitet ‘60 kapte kriminelët nazistë të luftës e shumë e shumë të tjerë? I kanë paraprirë shumë akteve grupeve terroriste, kanë vrarë  liderët e Al Fatahut. Kanë tentuar t’i bëjnë atentat ish-presidentit palestinez Arafat. Tani del që Izraeli paska fjetur gjumë e Mosadi paska ngrënë syltjash dhe nuk dinte që nën tokë ekzistonte një qytet i tërë i nëndheshëm? Është e çuditshme që nuk paska ditur Izraeli ç’po bëhet dhe ajo kulmoi me sulmin e pabesë të 7 tetorit. Dhe përgjigjja ishte kjo me 37 mijë palestinezë të vrarë deri tani përfshirë dhe komandantë të Hamasit. Të thuash që nuk dinte Izraeli është e çuditshme. Palestinezët kanë edhe mes tyre kontradiktë mes Fatahut e Hamasit”./Tema