Këshilli i Lartë i Prokurorisë mbajti këtë të martë mbledhjen e radhës, e cila rezulton e para nën drejtimin e Migena Bogdanit, që pas zgjedhjes së saj javën e shkuar në krye të këtij institucioni.

- Advertisement -

Në rendin e ditës përfshiheshin verifikimi i pasurisë së disa kandidatëve të dalë fitues nga provimi i fundit i Magjistraturës, të cilët ishin gati për emërimin e tyre si prokurorë.

Ishte anëtari i KLP, Tartar Bazaj ai i cili kërkoi shtyrjen e procedurës, duke pretenduar se SPAK ka nisur hetimet në lidhje me shkeljet që janë bërë në shkollën e “Magjistraturës”.

Ndërkohë që pretendimi i Bazajt u hodh poshtë nga anëtarja Arta Mandro, e cila deklaroi se nisja e hetimeve të SPAK për “Magjistraturën” është e pavërtetë

 

Pjesë nga debati:

Tartar Bazaj: Është një patate e nxehtë pasi këto ditë është thirrur drejtori i shkollës së Magjistraturës. Në dijeninë time është bërë një kallëzim penal në SPAK dhe di që BKH-ja ka nisur të bëjë verifikimet. Kjo nuk është pjesa jonë, por është një çështje që flitet për një skandal. Unë nuk do ta dëshiroja kurrë të ishte e tillë, por është anatemuar drejtori i shkollës së magjistraturës, pa diskutuar personalitetin e tij sepse nuk dua të them që ai ka qenë prokuror i përgjithshëm i shkarkuar nga Parlamenti, por diskutohet një çështje shumë e nxehtë.

Edhe kjo çështje duhet të kalonte të paktën në një mbledhje informale ku duhej të diskutoheshin disa gjëra që nuk duhet të ishin pjesë e kësaj mbledhje plenare sepse ne na ka zënë ‘krashti’, nuk kemi çfarë të bëjmë. Ne si komision jemi të detyruar të pranojmë kështu siç është atë listë që na ka sjellë, po se çfarë është bërë, se si u shpall lista e parë, se si pas disa ditësh u shpall lista e dytë, se si pas disa ditësh u shpall lista e tretë dhe nga 79 shkuan 131. Pra pa diskutuar një listë me emra të cilët gojët e liga thoshin “lista me kaq emra ka fituar” dhe ashtu doli në të vërtetë, ka shumë koincidenca. Do të ishte në nderin e këtij këshilli të tregonte atë që i takon sepse në fund të ditës ne na paguajnë taksat e këtij vendi. Unë mendoj që kjo pikë të paktën të hiqet.

Arta Mandro: Unë vij nga Shkolla e Magjistraturës dhe nuk mund të jem indiferente për një shqetësim të shtruar nga zoti Bazaj. E njoh me themel Shkollën e Magjistraturës dhe e njoh me themel trupën pedagogjike dhe administrative të Shkollës. Olgeri (një nga kandidatët fitues) nuk do ishte këtu sot nëse nuk do ishte kjo shkollë e Magjistraturës, por si Olgeri edhe shumë të tjerë.

Garantoj me bindjen time të plotë që gjëra të tilla nuk ndodhin kurrë në shkollën e Magjistraturës dhe unë jam dëshmitare e gjithë seriozitetit të atij institucioni duke filluar edhe me njerëzit tanë të afërt dhe lus që kjo kakofoni të mos bëhet objekt abuzimi. Mendoj që është e rëndësishme për ne që jemi pjesë e këtij institucioni./EuroNews