Autoriteti Rrugor Shqiptar ka përmbyllur fazën e shpalljes së kompanive fituese për 4 lotet e rrugës Elbasan-Qafëthanë. Ndërtimi i tyre do të kushtojë rreth 9.34 miliardë lekë.
Rreth 9.34 miliardë lekë, pa TVSH do të kushtojë ndërtimi i 4 loteve të rrugës Elbasan – Qafë Thanë, pjesë e Korridorit 8. Autoriteti Rrugor Shqiptar përmbylli fazën e shpalljes së kompanive fituese për lotet V, VI, VII dhe VIII, që përfshijnë 14 km rrugë, teksa fondi limit i vënë në dispozicion ishte rreth 10 mld lekë, pa TVSH. Punimet në këto segmente do të kryhen nga kompanitë: Gjoka Konstruksion, Alb – Star, A.N.K. dhe Fusha.
Sipas hartave treguese në dokumentet e tenderit, faza VIII përfshin ndërtimin e rrugës deri pas qytetit të Prrenjasit, ku do të bëhet dhe shmangia e kalimit nga pika doganore e Qafë – Thanës. Autoritetet kanë bërë me dije se është arritur dakordësia me palën maqedonase për pikën e re doganore dhe lidhjen e 2 shteteve përmes një tuneli me gjatësi 5.8 km, që do të shkurtojë rrugën me 24 km.
Por, praktikisht shpallja e fiituesve për 4 faza sugjeron se tashmë në të gjithë aksin nga Elbasani deri në Prrenjas do të ndërhyhet për ndërtimin e këtij segmenti të rëndësishëm rrugor.
Gjithsesi 4 lotet e parë janë në fazë më të avacuar, teksa njëri prej tyre u hap pak ditë më parë për qarkullimin e automjeteve. Ndërkaq, ndërhyrje parashikohen edhe në pjesën tjetër të këtij korridori, nga Rrogozhina deri në Elbasan, por aktualisht për këtë segment është duke u hartuar projekti e më pas do të duhet t’i nënshtrohet procedurave tenderuese.
Korridori 8 është një nga rrugët më të rëndësishme për qarkullimin e udhëtarëve dhe mallrave, duke qenë se lidh portet e Italisë, me ato të Bullgarisë, duke kaluar përmes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut./Dita