Vendet e rajonit kaluan nga të nxehtët ekstrem i fazës portokalli, në stuhi dhe reshje të fuqishme të shoqëruara me ulje të madhe të temperaturave përnjëherë. Ndryshimet drastike në temperaturë, me dallime deri 15 gradë celsius, shpesh vijnë me pasoja në shëndet.
Mjekët e përshkruajnë ndryshimin e klimës si një nga faktorët e rrezikut mjedisor që paraqiten si sfida për sistemin tonë imunitar dhe për sistemin tonë muskuloskeletor. Trupi mësohet me një klimë të caktuar dhe kur ajo ndryshon papritur, trupi ynë duhet të përpiqet të përshtatet. Për fat të keq, ndonjëherë te disa njerëz vështirësitë në përshtatje manifestohen me sëmundje të ndryshme afatshkurtra.
Megjithëse ndikimi i ndryshimit të motit nuk manifestohet njëlloj tek të gjithë, mjekët veçojnë disa probleme shëndetësore që shfaqen më shpesh në këto rrethana.
Infektimet e kanaleve të sipërme të frymëmarrjes
Dhimbja e fytit, sinuset, ftohja dhe gripi janë sëmundje të shkallëve të ndryshme të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes që mund të shkaktohen nga ndryshimi i motit. Njerëzit shpesh nuk e përshtasin veshjen me ndryshimet e shpejta dhe kjo vjen me pasoja në shëndet.
Kokëdhembje dhe migrenë
Dhimbjet e kokës ose migrena të lidhura me motin janë mjaft të zakonshme dhe ashpërsia e tyre mund të ndryshojë nga personi në person.
Dhimbje e muskujve dhe kyçeve
Ndryshimet e motit dihet se shkaktojnë inflamacion, artrit dhe dhimbje kyçesh. Ajri më i ftohtë mund t'i bëjë nyjet të ngurtësohen.
Alergji, astma dhe bronkit
Kur mushkëritë janë të ekspozuara ndaj ndryshimeve në presionin e ajrit, ato kompresohen dhe vështirësojnë frymëmarrjen. Kjo i bën njerëzit më të prekshëm ndaj kollës dhe frymëmarrjes së vështirësuar.
Në rajon parashikohet që nga java tjetër të kthehen temperaturat e larta të verës tipike për rajonin e Ballkanit. Pas korrikut me temperatura rekorde të larta, javët e fundit temperaturat ranë, ndërsa rajoni u përball me reshje intenzive, në disa vende me vërshime dhe katastrofa natyrore që morën edhe jetë njerëzish./TRT