Lektori në Departamentin e Sëmundjeve të Syrit në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin Erciyes (ERÜ), Cem Evereklioğlu, tha se përdorimi afatgjatë i telefonit celular rrit rrezikun e miopisë tek fëmijët.

Prof. dr. Evereklioğlu theksoi për Anadolu se me zhvillimin e teknologjisë shtohen edhe faktorët që mund të dëmtojnë syrin e njerëzve.

Ai u shpreh se është e pamundur t‘i mbash fëmijët larg zhvillimit të teknologjisë dhe tha se syri lëviz më shumë për të parë objektet e vogla në telefon dhe kjo shkakton një tkurrje.

Duke tërhequr vëmendjen se përdorimi afatgjatë i telefonit veçanërisht për lojëra mund të shkaktojë përparimin me shpejtësi të miopisë, Evereklioğlu theksoi:

"Në vitin 2023, në një epokë të tillë nuk mund t'i themi asnjë fëmije të mos luajë me tablet, të mos shikojë në kompjuter. Nëse e bëni këtë, në këtë rast mund të shkaktohen probleme psikologjike që shfaqen me prapambetjen e fëmijës në teknologji. Këtë nuk mund ta ndalojmë, por mund të kufizojmë kohën e përdorimit. Pra, mund të themi se është e ndaluar të luhen lojëra në telefonin celular. Telefoni celular ashtu si edhe vetë emri është prodhuar për të telefonuar. Pra, nuk duhet të përdoret për të luajtur. Por, tek tabletët, kompjuterët mund të themi se për shkak se kanë ekrane pak më të mëdha, mund të luhet 1-2 orë, mirëpo nuk mundet të luhet 10 orë".

Evereklioğlu bëri të ditur se pjesëmarrja në aktivitetet sociale është e rëndësishme për shëndetin e syrit dhe më tej shtoi se "Është vërejtur se zhvillimi i miopisë dhe përparimi i saj është më i ngadalë tek ata të cilët ngasin biçikletë jashtë për të paktën dy orë në ditë, luajnë futboll, basketboll, pra që luajnë në rrugë me shokët e tyre".

Të paktën 2 orë aktivitet social

Po ashtu, është e gabuar qëndrimi në shtëpi vazhdimisht duke mësuar, për ata në shkollën fillore, 9-vjeçare dhe të mesme, tha Evereklioğlu.

"Është e dobishme që në ditë të kryhet të paktën 2 orë aktivitet social. Kjo mund të jetë edhe taekwondo, karate, ecje dhe futboll. Ne duhet t'i drejtojmë fëmijët tanë te këto. Po ashtu, miopia përshpejtohet edhe nëpërmjet shikimit nga distanca e afërt dhe mësimet në ambiente të errëta. Pra, zhvillimi i miopisë dhe përparimi i saj ngadalësohet te një fëmijë që mëson mësimet duke përfituar nga drita e diellit.

Duke transmetuar se presin rritje serioze në numrin e miopëve në botë, Evereklioğlu theksoi: "Përllogaritet që në vitin 2050 bota do të jetë 50 për qind miope. Është një shifër serioze. Pra, një në çdo 2 persona do të shëtisë në rrugë me syze, nëse nuk ka bërë lazer. Këto janë publikuar në revistat kryesore të Evropës, Amerikës dhe Lindjes së Largët, janë bërë në formën e informacioneve klasike në kopertina"./TRT