Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu u shpreh sot gjatë ceremonisë që shënoi nisjen e zbatimit të programit të kredive të favorshme për shtëpi për familjet e reja të mjekëve, ushtarakëve dhe punonjësve të Policisë së Shtetit, se ky është një moment fantastik për të pritur festat e Fundvitit.
“Vendimi që kemi marrë para disa muajsh për të mbështetur mjekët, policët dhe ushtarakët përmes këtij programi të ri social, ecën në linjë me ambicien madhore që ne kemi për të fuqizuar akoma më shumë dinjitetin, statusin dhe respektin për profesionistë si ju edhe për profesionistët e nderuar që meritojnë një respekt të veçantë”, u shpreh ajo.
Sipas Koçiut, ky është një hap i ri, drejt kapërcimit të atij hendeku të thellë që ka ekzistuar për një kohë të gjatë midis shpërblimit të merituar dhe atij të ofruar.
“2023-shi nisi me rritjen më të madhe historike të pagave, vijoi me hedhjen e themeleve për autonomisë spitalore, e cila në fakt është një program që do vijojë të shtrihet më tej dhe të detajojë akoma më shumë me ritëm dinjitetin, dhe vlerën, dhe respektin për gjithësecilin prej jush”, tha ajo.
Koçiu informoi se viti do të përmbyllet me zotimin për të rritur akoma më tej në mënyrë të konsiderueshme pagat për mjekët e familjes dhe infermierëve në 2024-ën.
Koçiu theksoi se njoftimi për aplikim për 100 kuota për kategorinë mjekë, u publikua në faqen zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale dhe procedura e aplikimit u bë tërësisht online nëpërmjet portalit e-Albania.
Nga 191 aplikime për kategorinë mjekë, shumicë dërrmuese ishin mjekë të rinj. “Jam e lumtur të bëj me dije se u vlerësuan si fitues 85 mjekët e parë, të cilët janë kualifikuar për të përfituar vijuar më tej procedurat”, theksoi ajo.
“Lajm tjetër i mirë është që ky është vetëm viti i parë i zbatimit të këtij programi, që falë buxhetit të vitit 2024, do të vijojë për të shpërblyer më tej të gjithë ata profesionistë të tjerë për të cilët Shqipëria ka kaq shumë nevojë”, vijoi Koçiu.
“Mjekë që kanë themeluar mjekësinë shqiptare, e që studiuan në Francë, Itali, Gjermani, Austria, Turqi, në vitet 1920-30, emra të nderuar e të pavdekshëm si Shefqet Ndroqi, Frederik Shiroka, Koço Gliozheni, Sotir Polena, e shumë të tjerë, përfituan në masë nga mbështetja edhe pse e një shteti jashtëzakonisht të varfër në fillimet e tyre. Shumë prej tyre, shteti i atëhershëm i mbështeti me bursa, disa me shtëpi, e me statuse e privilegje të tjera”, kujtoi ministrja.
“Për fat të keq, në tranzicionin shqiptar, për shumë kohë e humbëm principin e mirënjohjes ndaj atyre që meritojnë më shumë dhe këta janë mjekët, ata që ishin më të keqpaguarit, më të mbingarkuarit, më të braktisurit nga shteti në të gjithë Evropë. Edhe më keq, specializantët, u lanë pa pagesë, madje për ta shteti u kujdes të mbyllte dhe specializimet duke i lënë edhe pa punë”, tha Koçiu.
Ajo garantoi vendosmërinë për të bërë akoma më shumë në përmbushjen e pritshmërive të mjekëve dhe infermierëve për mbështetje./ata