Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas gjatë një takimi me kryeministrin e Sllovenisë, Robert Golob në Jordani diskutoi për zhvillimet e fundit në Palestinë.
Sipas agjencisë zyrtare palestineze të lajmeve WAFA, Abbas priti kryeministrin slloven, Golob në kuadër të Konferencës së Ndërhyrjes Humanitare Emergjente në Gaza të mbajtur në rajonin e Detit të Vdekur në perëndim të kryeqytetit të Jordanisë, Aman.
Abbas shprehu mirënjohjen e tij për qëndrimin e guximshëm parimor të Sllovenisë në njohjen e shtetit palestinez. "Vendimi për të njohur shtetin palestinez do të kontribuojë në ruajtjen e zgjidhjes me dy shtete, e cila është shkatërruar sistematikisht dhe do të kontribuojë në ofrimin e sigurisë, paqes dhe stabilitetit për të gjithë", tha ai.
Duke informuar kryeministrin slloven për zhvillimet e fundit në fushën palestineze, Abbas përcolli përpjekjet e bëra nga palët ndërkombëtare për të ndaluar sulmet e Izraelit në Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, veçanërisht në Rripin e Gazës.
Golob tha se vendi i tij mbështet të drejtat legjitime të popullit palestinez dhe theksoi se populli palestinez ka të drejtën e vetëvendosjes dhe krijimit të një shteti të pavarur në tokën e tij.
Ai potencon domosdoshmërinë e vendosjes së një armëpushimi në Rripin e Gazës dhe dërgimin e ndihmave humanitare për popullin palestinez. Golob bëri thirrje për respektimin e ligjit ndërkombëtar në zgjidhjen e konfliktit izraelito-palestinez./aa