Deputeti francez i opozitës, Thomas Portes ka bërë thirrje për dëbimin e ambasadores së Izraelit në Paris, Alona Fisher-Kamm, të cilën ai e akuzoi për sulm ndaj lirisë së shtypit për të "heshtur gjenocidin në Gaza".

Pasi gazeta franceze "Liberation" nxori titullin "30.000 të vdekur në Gaza" në ballinën e saj të enjten, Ambasada izraelite në Paris, në llogarinë e saj X, akuzoi gazetën franceze se po vepron si "zëdhënës" i Hamasit.

Ambasada izraelite kritikoi titullin e "Liberation" si propagandë anti-izraelite dhe vuri në pikëpyetje saktësinë e numrit të të vdekurve të siguruar nga gazeta.

Duke shprehur zhgënjim për përdorimin e termit "një masakër ndaj fëmijëve të Gazës" nga gazeta, ambasada theksoi se një frazë e tillë përcjell mesazhin se Izraeli synonte qëllimisht civilët më të cenueshëm.

Duke cituar deklaratën e ambasadës, Portes, deputeti i partia La France Insoumise (LFI - Franca e Papërkulur) tha: "Mëngjesin e sotëm, ambasada izraelite sulmoi lirinë e shtypit për të heshtur gjenocidin e organizuar nga ushtria izraelite".

"Franca nuk mund ta tolerojë këtë. Marrëdhëniet diplomatike duhet të ndërpriten menjëherë dhe ambasadorja izraelite duhet të dëbohet nga toka jonë pa vonesë", tha Portes në X.​/aa