Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural publikoi raportin të buxhetit për 4-mujorin e parë të vitit 2024, mbi ecurinë e përgjithshme të skemave të saj të mbështetjes në bujqësi.

Duke iu referuar këtij raporti, MBZHR bën të ditur se, kanë aplikuar rreth 15,597 aplikantë në skemat kombëtare. Aplikimi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë, me rreth 62.6% të aplikimeve, ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 13% të totalit të aplikimeve.

Për masën nr. 6 “Fermat organike”, masën nr. 7 “Global Gap”, si dhe masën nr. 8 “Grup fermerësh dhe SHBB”, fondi është alokuar në masën 100% të totalit të aplikimeve”, raporton MBZHR.

Në raportimin e buxhetit, ministria ndalet edhe tek ecuria e skemës së subvencionit që lidhet me naftën pa taksa.

“Skema e subvencionimit me naftë për mekanizimin në bujqësi, ka përfunduar procesi i aplikimit, me rreth 54,255 aplikime në total me një fond të kërkuar prej rreth 3,559 milionë lekë. Me buxhetin aktual mbulojmë vetëm 35.2% të kërkesës. Në ndryshim nga vitet e kaluara për herë të parë këtë vit pagesa do të kalojë direkt në llogari të fermerit, bazuar në kriteret e përcaktuara në VKM dhe udhëzimin përkatës”, thuhet në raportin e ministrisë./ata