Pas vendimit të marrë nga Gjykata e Apelit të Tiranës, që njohu Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike, ish-kryeministri ka reguar duke e cilësuar një ditë të mirë për demokratët.

Berisha tha se tashmë qëllimi është bashkimi i demokratëve.

“Sot është dita të falënderoj dhe të përulem me respektin më të madh para çdo demokrateje e demokrati që shkroi historinë në Kuvendin e 11 Dhjetorit! Kjo nuk është historia e Sali Berishës, por historia e demokracisë dhe opozitarizmit, është mishërimi i aksiomës se Zoti është me qëndrestarët dhe guximtarët”, shkruan Berisha.

“Askush më shumë se demokratët nuk e kanë provuar këtë përgjatë këtyre 30 viteve, ne 1992 në rrëzimin e diktaturës, në 97′ përgjatë rebelimit të kuq, por dhe sot ku pavarësisht presionit padrejtësive e kërcënimeve ata ja dolën, as të mos kapen, as të mos shiten dhe mbi të gjitha të mos zhduken! Qëndruan për Flamur!”, shtoi Berisha.

“Këtij vendimi historia do t’i njohë meritën e madhe të parandalimit të një mynxyre të vërtetë për vendin, kapjen e pluralizmit politik nga partia-shtet. Por sot është ditë e mirë edhe për çdo demokrat e demokrate që nuk është me Sali Berishën, por që është me Partinë Demokratike me Flamurin e saj, pasi ky moment u heq atyre hendekun e ndarjes me shumicën e vëllezërve dhe motrave të tyre! Sot dera për ta është e hapur dhe respekti për kontributet dhe mendimin ndryshe është i garantuar”, thekson Berisha.

“Sot duhet të bashkohemi rreth Flamurit të pamposhtur të betejave tona. Sot nuk ka fituar Sali Berisha, por demokracia. Qëllimi ynë i përbashkët duhet të jetë bashkimi dhe rikthimin e shpresës tek shqiptarët. O sot, o kurrë!”, tha Berisha./ata