Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale dhe Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP) e Kosovës shkëmbyen eksperiencat më të mira për standarde të larta në respektimin e të drejtave dhe lirive të qytetarëve.
Një grup nëpunësish të autoritetit homolog zhvilloi një vizitë studimore në Tiranë, në kuadër të zbatimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit mes dy institucioneve të nënshkruar në vitin 2022.
Ky aktivitet ishte i ndarë në dy pjesë dhe preku një sërë çështjesh dhe tematikash që kanë të bëjnë me të dyja fushat e përgjegjësisë së autoriteteve, si edhe me organizimin dhe funksionimin e brendshëm të tyre.
Gjatë takimit u diskuan gjerësisht raste praktike si të fushës së të drejtës për informim, ashtu edhe të asaj për mbrojtjen e të dhënave personale apo për zhvillimin e inspektimeve të përbashkëta në sektorë të caktuar.
Njëkohësisht, u ndanë përvojat respektive në hartimin e akteve nënligjore apo udhëzuesve dhe opinioneve, si dhe u shkëmbyen ide për forcimin e kapaciteteve administrative dhe profesionale të AIP.
Një pikë tjetër me rëndësi ishte dhe mbështetja e Zyrës së Komisionerit për avancimin e statusit dhe anëtarësimit të autoritetit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare./ata