Presidenti i Republikës, Bajram Begaj është pritur sot me nderime shtetërore në Prishtinë.

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani doli për ta pritur Begajn para Presidencës, ku edhe u luajtën himnet shtetërore nga trupat e FSK-së.

Presidentja Osmani ka postuar në rrjetet sociale edhe një video ku shprehet se është “përjetësisht mirënjohëse për të gjithë vizionarët, dëshmorët, martirët dhe aleatët e lirisë sonë”.

Osmani shkruan: “Kosova dhe Shqipëria bashkë në ditë të vështira e në ditë të mira”.

Begaj pritet t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës me një fjalim në seancën solemne.

Presidenti i Republikës po merr pjesë në ceremonitë shtetërore me rastin e Ditës së Çlirimit të Kosovës.

Kreu i Shtetit është i ftuar nga tre autoritetet më të larta të Republikës së Kosovës: Presidentja Vjosa Osmani, Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca dhe Kryeministri, Albin Kurti./ata