Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në një prononcim për mediet nga oborri i Kuvendit, tha sot se nuk ka shqetësim për fatin e tij personal në politikë.
Ai theksoi se motivi që e shtyn përpara është përkushtimi që ka ndaj kauzave që kanë të bëjnë për qytetarët shqiptarë, teksa shtoi se kusht për bashkëpunim është distancimi jo vetëm nga Rama, por edhe nga Meta.
“Nuk kam asnjë shqetësim që lidhte me fatin tim personal. Fatin tim personal në politikë e lidh me gjërat të cilat i besoj. Për ato që kam besuar dhe besoj bëj betejë, disa i kam fituar dhe nuk i kam fituar për vete, por i kam fituar për qytetarët shqiptarë, i gëzojnë qytetarët Shqiptarë. Disa beteja edhe i kam humbur, por pasojat nuk i vuaj vetëm unë, por i vuajnë qytetarët shqiptarë. Pra ajo që më mban, më motivon dhe shtyn përpara është përkushtimi që kam ndaj kauzave që kanë të bëjnë për qytetarët shqiptarë”, tha Basha.
“Kur vjen puna për te reforma zgjedhor, ajo që kërkojë nuk është për veten time, apo forcën time politike, por është për qytetarët. Qytetarët meritojnë votën preferenciale dhe të zgjedhin vetë deputetin e tyre. E vështirë ishte dhe më përpara, por minat ia vunë vetë. Ka 4 muaj që ka pushuar së ekzistuari komisioni bipartizan i reformës zgjedhore. Ky është momenti, tani janë të çliruar nga ankthi vulës dhe logos, që ti thërrasin mendjes dhe të shohin ku e kanë çuar kauzën zgjedhjeve të lira me pazaret e vogla me Edi Ramën.”
Ai tha se “distancim me Edi Ramën, duhet të bëjnë ato që bëjnë pazare me Ramën dhe vendimi djeshëm i gjykatës së apelit është i qartë dhe tregon se kush ka pazare me Ramën. Kushti im i qartë është distancim jo vetëm nga Rama, por edhe nga Meta”.
Basha i pyetur mbi pr/ligjin që pritet të votohet sot në Kuvend, i cili parashikon rritjen e pagës së gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese tha se, shqiptarët kanë të tjera prioritete.
“Sapo jemi njoftuar që është futur në rend të ditës. Shqiptarët kanë të tjera prioritete. Më çudit kjo që kanë sjellë. E kanë mbajtur për një kohë të gjatë në sirtarë. Do të shohim se çfarë kulisash ka pas kësaj. Shqiptarët duan të dinë se ç’po ndodh me Reformën Zgjedhore, listat e hapura, barazinë e votës. Çfarë po bëhet me mundësinë që emigrantët që të votojnë, që është dhe urdhëresë e Gjykatës Kushtetuese. Nëse Gjykata Kushtetuese i hidhen poshtë vendimet, duke shkaktuar praktikisht krizë kushtetuese, siç është rasti i imunitetit të Olta Xhaçkës, apo siç është vendimi prej shumë kohësh i Gjykatës Kushtetuese për votën e diasporës, atëherë ç’kuptim ka rritje dhe ulje pagash. Do të marrim vesh çfarë është kjo. Këtë draft e kishin para 7 muajsh dhe e hoqën, tani përse e sollën sërish?” – përfundoi Basha./ata