Ministri Për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani u shpreh sot se, plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor, me vlerë 6 miliardë euro, është një prej paketave më ambicioze të Bashkimit Evropian për rritjen ekonomike dhe reformat në gjashtë vendet, në mënyrë që të ecet më shpejt drejt integrimit.
I pyetur në një bashkëbisedim me gazetarët në lidhje me disa detaje më shumë mbi këtë paketë Hasani tha se, “plani i rritjes është një mekanizëm interesant që Komisioni Europian filloi ta testonte që para 11 muajsh”.
Ky mekanizëm, vojoi ai, patjetër që pati angazhimin solidar të 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor por pati dhe përkrahjen nga vetë vendet e BE-së, sepse bëhet fjalë për financime nga vetë vendet anëtare.
“Bëhet fjalë për 6 miliardë euro që do të vijnë në rajonin tonë që do të ndihmojnë reformat, institucionet. Kryenegociatorja ka një paketë shumë ambicioze projektesh të cilat do të përbëjnë esencën e kualitetit të asaj që ne po ofrojmë dhe kjo paketë që kryenegociatorja po i ofron KE-së jam i bindur që neve do të na rrisë maksimalisht standardin e shërbimeve por dhe të nivelit të punës dhe përpjekjes së përditshme për të pasur një administratë serioze, dinjitoze që t’u japë shqiptarëve shërbime dhe akses”, deklaroi Hasani.
Ai shtoi se, paketa që kryenegociatorja ka bërë gati është impresionuese dhe do të bëjë ndryshimin e vërtetë.
Në lidhje me angazhimin për regjistrimin e diasporës, ministri theksoi se, “ka qenë një angazhim i kahershëm i qeverisë dhe të gjithë mekanizmave institucionalë, për të nisur me identifikimin e numrave të shqiptarëve kudo që ata janë”.
“Është një proces i vështirë jo vetëm nga ana teknike por edhe për faktin që motra dhe vëllezër bashkëatdhetarë, nuk regjistrohen dhe ne po përpiqemi të nisimin dhe fushata për sensibilizimin mbi regjistrimin”, tha ministri.
Hasani infomoi se, ka pasur një proces angazhimi përmes e-albanias, por regjistrimi ka rezultuar në shifra tepër modeste, rreth 8000 të regjistruar.
Hasani deklaroi se, “është e rëndësishme që në këtë proces të jemi të gjithë të vetëdijshëm dhe të angazhojmë edhe vetë diasporën, që duhet të maksimalizojë përpjekjet e saj, për t’u identifikuar, sepse në këtë mënyrë të gjithë do të kuptojnë realitetin se ku jetojnë shqiptarët dhe për votimet e kështu me radhë”./ata