Bizneset që tregtojnë produkte me ndikim në energji do të jenë të detyruara që të bëjnë etiketim të detajuar të tyre, me qëllim rritjen e eficiencës.

Ligji “Për etiketimin e produkteve me ndikim në energji”, i cili është botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare synon që ky ligj të ketë zbatim të plotë në treg, ndërsa ngarkon për kontrollin e tregut Inspektoratin Shtetëror të Mbikëqyrjes së Tregut.

Si rezultat i zhvillimit të produkteve gjithnjë e më eficente në energji, klasat e energjisë të përcaktuara në legjislacionin e deritanishëm në fuqi A (A+, A++ dhe A+++) në etiketat e produkteve në treg do të ndryshohen. Rregullorja e re BE-së për etiketimin e energjisë përcakton një shkallë të re krahasuese për klasat e energjisë, nga A (më efikase) në G (më pak efikase).

Etiketimi i energjisë është një shtytës kryesor për të ndihmuar konsumatorët të zgjedhin produkte që janë më shumë eficiente në konsumin e energjisë si dhe inkurajon prodhuesit të nxisin inovacionin, duke përdorur teknologji më eficiente në energji.

Furnizuesit dhe tregtarët do të përmbushin detyrimet e përcaktuara në këtë nisme ligjore lidhur me vendosjen apo shfaqjen e etiketave, markave, simboleve apo mbishkrimeve të tjera dhe do të vendosin në treg dhe/ose në shërbim produkte me ndikim në energji në përputhje me këto karakteristika.

Përveç informacionit në lidhje me konsumin e energjisë së produktit, etiketat mund të ofrojnë gjithashtu të dhëna specifike për veçori të tjera përkatëse të përdorimit, të tilla si emetimet e zhurmës së produktit ose konsumin e ujit./ata