Gjykata e Apelit rrëzoi sot ankimimin e Lulzim Bashës, duke njohur Sali Berishën si kryetar të Partisë Demokratike.
Partia Demokratike e përfaqësuar nga Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit kishte bërë rekurs ndaj vendimin të datës 3 mars 2023 të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, duke kërkuar prishjen e vendimit të kësaj Gjykate.
Po ashtu, Rithemelimi kërkonte deklarimin si të papranueshëm të ankimit paraqitur nga deputeti Enkelejd Alibeaj ndaj vendimit të datës 25 mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, si dhe lënien në fuqi të vendimit të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kolegji Civil i Gjykatës së Lartë me vendimin e datës 27 dhjetor 2023 kishte vendosur prishjen e vendimit të datës 3 mars 2023 të Gjykatës së Apelilt të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe dërgimin e çështjes për rishqyrtim pranë asaj gjykate, me tjetër trup gjykues.
Në datën 11 qershor 2024 gjatë rigjykimit të çështjes në Gjykatën e Apelit, përfaqësuesi me autorizim Ivi Kaso i Partisë Demokratike të Shqipërisë, “Komisioni i Përkohshëm i Rithemelimit” kërkoi “mospranimin e ankimit të ushtruar ndaj vendimit të datës 25 mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë”.
Përfaqësuesit ligjor Indrit Sefa dhe Rezart Kthupi, të Partisë Demokratike të Shqipërisë e përfaqësuar nga Enkelejd Alibeaj kërkuan “prishjen e vendimit të datës 25 mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, duke vendosur: Pushimin e gjykimit, pasi nuk legjitimohen”.
Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me relatore gjyqtare Alma Ahmeti dhe anëtare Elona Toro dhe Iliba Bezati, vendosi mospranimin e ankimit të ushtruar kundër vendimit të datës 25 mars 2022 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs i veçantë në Gjykatën e Lartë brenda 5 ditëve duke filluar ky afat nga dita e nesërme e komunikimit të vendimit./ata