Përzgjedhja e kandidatëve për anëtarë në Këshillin Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë nga radhët e avokatëve është shoqëruar me kundërshti të opozitës në nënkomisionin e ngritur në Komisionin e Ligjeve “Për përzgjedhjen e kandidatëve për anëtarë të KLGJ dhe KLP nga radhët e avokatëve”.
Mbledhja e zhvilluar sot parashtroi për anëtarët e nënkomisionit emrat e kandidatëve të kualifikuar dhe skualifikuar nga procesi.

Deputeti i Partisë Demokratike Gazment Bardhi tha se çështja po diktohet politikisht.

“Fakti që deputetët e Partisë Socialiste në këtë komision, përputhen gjithnjë me raportin që sjell Sekretari i Përgjithshëm, provon atë që kemi thënë, që përjashtimet që ka bërë Sekretari i Përgjithshëm kanë qenë politike, në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit. Kandidatë që ndodhen në të njëjtat kushte, njëri është kualifikuar, tjetri është skualifikuar. Kjo është përzgjedhje politike në këtë proces dhe cenon rëndë besimin e qytetarëve tek përbërja e re e KLP e KLGJ”, tha Bardhi.

Kryetarja e Nënkomisionit, Klotilda Bushka tha se procesi ka qenë transparent dhe nuk mund të paragjykohet. “Mos paragjykoni vendimet tona, ju keni mendimin tuaj, ne kemi mendimin tonë. Mos përbaltni procesin”, tha Bushka.

Kandidatët e kualifikuar tashmë do të thirren në seanca dëgjimore duke nisur nga dita e enjte.

Lista e të kualifikuarve për KLGJ, nga radhët e avokatëve: Eris Hysi, Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Klodian Gjermeni, Artan Reçi, Alben Sabaku, Saimir Kola, Bledar Bajri.

Lista e të kualifikuarve për KLP, nga radhët e avokatëve: Erind Mërkuri, Erind Gërmenji, Alben Sabaku, Artan Reçi, Bledar Bajri, Samir Kola./ata