E vlerësuar nga ata që e përjetuan si ditë e çlirimit dhe si një ndër ditët më të mëdha të historisë së Kosovës, 12 qershori, ndonëse jo e njohur edhe si festë zyrtare, kjo ditë po vazhdon të festohet tash e disa vjet.

Sot është paraparë të mbahet seancë solemne, si dhe parakalimi i njësive të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe Policisë së Kosovës, ku do të ekspozohen sisteme të ndryshme të armatimit.

Aktivitetet do të përfundojnë me koncertin në sheshin Zahir Pajaziti, në Prishtinë, ku do të përformojnë Adelina Ismaili, Dren Abazi, Juliana Pasha, Jericho, Art Lokaj, Malda Susuri & Friends, Don’t Listen to Your Neighbors dhe Adrian.

Kjo është agjenda:

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani pret në takim Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj. (Kabineti i Presidentes, ora 09:15);

Agjencia Shtetërore e Arkivave të Kosovës, në bashkëpunim me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Shqipërisë, hapin ekspozitën “Rizgjimi në vlerat Kombëtare, Kosova Republikë”. (Biblioteka Kombëtare, Prishtinë, ora 12:00);

Zbulohet shtatorja e ish-kryeministrit britanik, Tony Blair. (Sheshi “Tony Blair”, Ferizaj, ora 14:00);

Përurohet Kulla e Lirisë, e cila simbolizon lirinë dhe sakrificën e popullit të Kosovës. (Krushicë e Epërme, Suharekë, ora 15:00);

Në nder të 25-vjetorit të Çlirimit organizohet pritje shtetërore nga presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe kryeparlamentari Glauk Konjufca. (Grand Events, Ora 17:00);

Organizohet koncert festiv publik në nder të 25-vjetorit të Çlirimit. (Sheshi Zahir Pajaziti, Prishtinë, ora 18:00).

/KosovaPress/