Udhëheqësit e 27 vendeve të Bashkimit Evropian dhe të 20 vendeve të tjera evropiane mblidhen sot në Kishinjev të Moldavisë, për të diskutuar një varg çështjesh, mes tyre edhe tensionet në veri të Kosovës, raporton agjencia e lajmeve Reuters.

 

Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pritet të takojë atje presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

 

Një ditë më herët, Borrell së bashku me të dërguarin e BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak takoi në Bratisllavë kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

 

Në një postim në Twitter pas takimit, Borrell tha se situata në veri të Kosovës është “e rrezikshme dhe e paqëndrueshme”  dhe bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe zgjidhje përmes dialogut.

 

“Takova kryeministrin Albin Kurti në Bratislavë për të diskutuar tensionet në veri të Kosovës. Situata aktuale është e rrezikshme dhe e paqëndrueshme.

 

Ne kemi nevojë për de-përshkallëzimin urgjent dhe një zgjidhje përmes Dialogut për t’iu rikthyer punës sonë për zbatimin e Marrëveshjes së arritur”, shkruan Borrell.