Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius do të propozojë rivendosjen e regjistrimit të individëve të aftë për shërbimin ushtarak, 13 vjet pasi Gjermania hoqi efektivisht rekrutimin kombëtar.

”Të rinjtë duhet të japin informacion në një pyetësor në lidhje me gatishmërinë dhe aftësinë e tyre për të shërbyer dhe për t’iu nënshtruar një ekzaminimi fizik nëse zgjidhen”, sipas planit të Pistoriusit, të cilin ai do ta zbulojë zyrtarisht më vonë të mërkurën.

Propozimi përfaqëson një hap të parë drejt rivendosjes së mundshme të një forme të rekrutimit, një çështje e diskutueshme në Gjermani.

Vendi e hoqi efektivisht shërbimin e detyrueshëm ushtarak ose civil për burrat në 2011 pas 55 vjetësh, megjithëse ligji gjerman ende parashikon rekrutimin e mundshëm në rast lufte ose tensionesh të tjera.

Planifikuesit ushtarakë vlerësojnë se 400 000 persona do të duhet të plotësojnë pyetësorin çdo vit dhe besojnë se rreth një e katërta e tyre mund të shprehin një interes.

Plani është që të urdhërohen 40 000 kandidatë për të marrë pjesë në kontrollin fizik.

Aktualisht ka kapacitet për të trajnuar nga 5 000 deri në 7 000 rekrutë, por kjo do të rritet.

Shërbimi ushtarak pritet të zgjasë gjashtë apo 12 muaj.

Pas informimit të komisionit të mbrojtjes të parlamentit, Pistorius do të shpjegojë propozimet e tij në një konferencë shtypi pasdite./ata