Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural raportoi ecurinë e përgjithshme të skemave të saj të mbështetjes në bujqësi duke nisur së pari nga masat për të cilat aplikimet tashmë janë mbyllur.

Referuar raportimit të buxhetit në 4-mujorin e parë të vitit Ministria nënvizon se aplikimet janë dukshëm më të larta në vlerë sesa fondi total i alokuar për masat në skemën kombëtare.

“Masat mbështetëse. Gjatë kësaj periudhe është hartuar baza ligjore (VKM, udhëzim i përbashkët, urdhër alokimi fondi), si dhe është hapur dhe mbyllur procesi i aplikimit. Kanë aplikuar rreth 15,597 aplikantë në skemat kombëtare. Aplikimi më i madh vazhdon të jetë tek masa e blegtorisë me rreth 62.6% të aplikimeve, ndjekur nga mbështetja për bletarinë me rreth 13% të totalit të aplikimeve.

Fondi i kërkuar përmes aplikimeve është rreth 3,571 milion lekë, nga 2,147 milion lekë i alokuar, pra me një mbulim për vetëm 60.1% të aplikimeve. Për masën nr. 6 “Fermat organike”, masën nr. 7 “Global Gap”, si dhe masën nr. 8 “Grup fermerësh dhe SHBB”, fondi është alokuar në masën 100% të totalit të aplikimeve” raportoi MBZHR.

Në raportimin e buxhetit ministria ndalet edhe tek ecuria e skemës së subvencionit që lidhet me naftën ku edhe në këtë rast buxheti i alokuar është pak më shumë se 1/3 e kërkesës.

“Skema e subvencionimit me naftë për mekanizimin në bujqësi. Ka përfunduar procesi i aplikimit, me rreth 54,255 aplikime në total me një fond të kërkuar prej rreth 3,559 milion lekë. Me buxhetin aktual mbulojmë vetëm 35.2% të kërkesës. Në ndryshim nga vitet e kaluara për herë të parë këtë vit pagesa do të kalojë direkt në llogari të fermerit, bazuar në kriteret e përcaktuara në VKM dhe udhëzimin përkatës” thuhet në raportimin e ministrisë.

Një tjetër detaj që bie në sy në këtë raportim është ajo për programin e IPARD II.

“Përfitues nga programi IPARD II. Jemi në proces vlerësimi dhe dibursimi të fondeve. Për këtë periudhë janë disbursuar 26 subjekte, me një fond prej 397 milion lekë. Nga 29 subjekte përfituese 9 janë gra” thuhet në dokument.

Në mesin e vitit të shkuar Brukseli vendosi pezullimin e fondeve sa i takonte programit IPARD II pas hetimeve të ndërmarra mbi akuzat për korrupsion në lidhje me zbatimin e këtij programi.

Nga ajo kohë ende nuk ka një çlirim të fondeve për programin nga ana e Komisionit Europian teksa Shqipëria priste fillimin e IPARD III për një mbështetje dy herë më të lartë se IPARD II që ishte 70 milionë euro./Monitor