Rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të kryhet gjatë vitit 2025.

Ministri i Financave Petrit Malaj, deklaroi sot në Komisionin e Kuvendit për Veprimtarinë Prodhuese Tregtinë dhe Mjedisin se, “rivlerësimi i pasurive të paluajtshme do të bëhet paralelisht me caktimin e çmimeve të referencës për gjithë territorin e Shqipërisë, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë”.

Malaj theksoi se “ky është një proces që do të zgjasë përgjatë vitit të ardhshëm kur të bëhen referencat e reja”.

Ministri vuri në dukje se, fillimisht do caktohen çmimet e referencës në qytetet e tjera të vendit, dhe më pas të nisë rivlerësimi pasi të dy proceset duhet të ecin paralelisht në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët nga afrimi i vlerës së pronës së tyre me çmimet e tregut.

Kjo qasje bëhet për shkak se siç ka paralajmëruar Kryeministri Edi Rama ky do të jetë rivlerësimi i fundit, dhe për këtë arsye caktimi i referencave të reja për qytetet e tjera kryesisht ato të bregdetit, i rrit automatikisht vlerat e pronave.

Pas këtij procesi, mund të nisë rivlerësimi nga i cili qytetarët mund të përfitojnë duke përafruar vlerën e pronës së tyre me çmimet reale të tregut, bazuar edhe në referencat e reja që do të caktohen.

Gjatë vitit 2023 u miratuan çmimet e referencës për Tiranën, ku pati rritje deri në 30% të vlerës së pronave në zonat VIP të kryeqytetit. Po ashtu për të bërë rivlerësimin e plotë, do të merret në konsideratë edhe 1% i amortizimit për vjetërsinë e banesës./ata