Gazeta "New York Times" (NYT) raportoi se administrata amerikane do të dërgojë një sistem të ri të mbrojtjes ajrore "Patriot" në Ukrainë.

Dy zyrtarë të lartë amerikanë, të cilët folën për gazetën NYT në kushte anonimiteti, deklaruan se presidenti amerikan Joe Biden javën e kaluar mori vendimin për të dërguar sistemin "Patriot" në Ukrainë.

Zyrtarët deklaruan se sistemi "Patriot" mund të dërgohet në Ukrainë në ditët në vijim pas mirëmbajtjes dhe se ky vendim mund të inkurajojë vendet e tjera aleate të bëjnë të njëjtën gjë.

Sipas zyrtarëve, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) mund të vendosë gjithashtu një bateri "Patriot" në Poloni.

- Biden nënshkroi paketën që siguron 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy deklaroi se po negociojnë sistemet e mbrojtjes ajrore "Patriot" për Ukrainën.

Gjermania njoftoi se një sistem i tretë i mbrojtjes ajrore "Patriot" do t'i dorëzohet Ukrainës në javët e ardhshme.

Biden më 24 prill nënshkroi paketën që siguron 61 miliardë dollarë ndihmë për Ukrainën, pas gati 6 muajsh përpjekjesh për mbështetje ushtarake.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin njoftoi më 26 prill se një paketë e re ndihme ushtarake shtesë me vlerë 6 miliardë dollarë do t'i jepet Ukrainës në afat të gjatë./aa