Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, është takuar të mërkurën me ambasadorin britanik në Prishtinë, Jonathan Hargreaves, i cili ka thënë se mbështetja e Britanisë së Madhe ndaj Kosovës do të vazhdojë.

Siç ka njoftuar Kuvendi, në këtë takim është diskutuar për marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve respektive, për projektet e përbashkëta që synojnë thellimin e mëtejshëm të këtyre raporteve, zhvillimin e vendit në sfera të ndryshme, ruajtjen dhe avancimin e interesave dhe qëllimeve të përbashkëta.

Kryetari Konjufca e njoftoi ambasadorin për çështje të aktualitetit, duke theksuar se Kosova është e interesuar që ta ketë vazhdimisht përkrah një aleat të pazëvendësueshëm si Britania e Madhe, në synimin e forcimit të sigurisë dhe stabilitetit, zhvillimit ekonomik dhe demokratizimit të vazhdueshëm, si dhe integrimeve nëpër strukturat dhe organizatat ndërkombëtare.

Mbështetja e Britanisë së Madhe për Kosovën është e hershme dhe tepër e rëndësishme, prandaj dhe kreu u kuvendit shprehu mirënjohjen ndaj këtij kontributi të Britanisë së Madhe, duke kërkuar që të vijohet sa më intensivisht tradita e bashkëpunimit të ngushtë.
Nga ana tjetër, siç theksohet në njoftim, Hargreaves e falënderoi Konjufcën për pritjen, e njëkohësisht theksoi se mbështetja e Britanisë së Madhe në drejtim të Kosovës do të vazhdojë, si dhe shprehu gatishmërinë dhe angazhimin e tij të bashkëpunimit me institucionet e Kosovës, për të avancuar në çdo drejtim raportet midis dy vendeve./Albanianpost