Kryeministri holandez Mark Rutte përshëndeti rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për një armëpushim në Rripin e Gazës dhe i bëri thirrje Izraelit të pranojë planin.

Në një intervistë për Anadolu, Rutte tha se e gjithë bota "tani pret që Izraeli të pranojë atë që ai vetë propozoi" dhe të ndalojë menjëherë operacionet e tij ushtarake në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi të hënën një rezolutë që mbështet propozimin e armëpushimit, me 14 vota pro një abstenim nga Rusia.

Drafti i miratuar thekson përpjekjet diplomatike të udhëhequra nga Egjipti, SHBA-ja dhe Katari, tri vendet që ndërmjetësojnë për t’i dhënë fund luftës, dhe mirëpret propozimin që presidenti amerikan Joe Biden shpalli më 31 maj, të cilin ai e quajti një udhërrëfyes izraelit për t’i dhënë fund konfliktit.

Rutte theksoi se plani i armëpushimit i paraqitur nga SHBA-ja në fakt erdhi nga vetë Izraeli, megjithëse udhëheqësit izraelitë nuk e kanë mbështetur publikisht atë deri më tani.

"Unë do të thosha se është më shumë një propozim izraelit për armëpushim sesa një propozim amerikan. Ndonjëherë izraelitët nuk janë plotësisht të sigurt se çfarë kanë propozuar, por unë mendoj se në fund, është propozimi i tyre, që e bën këtë gjë edhe më të mirë", tha Rutte.

"Isha gjithashtu shumë i lumtur kur mësova se Hamasi ka reaguar shumë pozitivisht ndaj rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për ne tani, është thelbësore që të kemi një armëpushim të plotë sa më shpejt të jetë e mundur", shtoi ai.

Rutte tha se mesazhi i tij për qeverinë izraelite dhe kryeministrin Benjamin Netanyahu është që të ndjekin propozimin e tyre.

Rutte dënoi gjithashtu sulmin e Hamasit të 7 tetorit, duke riafirmuar se Izraeli ka të drejtë të mbrohet, por nënvizoi se Tel Avivi ka detyrime ndërkombëtare dhe duhet të veprojë brenda sferës së ligjit ndërkombëtar.

Që kur Izraeli filloi luftën e tij në Gaza tetorin e kaluar, ai ka vrarë rreth 37.200 palestinezë dhe ka plagosur pothuajse 85.000 të tjerë, shumica prej tyre gra dhe fëmijë.

Izraeli po përballet gjithashtu me një çështje gjenocidi në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për luftën e tij në enklavën e rrethuar, ku miliona palestinezë janë zhvendosur, duke u përballur me zi buke dhe mungesa akute të ndihmës mjekësore dhe gjërave të tjera thelbësore.

Kryeministri holandez shprehu shqetësim të madh për situatën katastrofike humanitare në Rafah, duke përsëritur thirrjen e tij për një armëpushim të menjëhershëm.

"Sigurisht, ne jemi shumë të shqetësuar për situatën në Rafah, sepse kemi 1,5 milion njerëz që jetojnë atje dhe çdo operacion ushtarak atje mund të përfshijë humbje të madhe jetësh", tha ai.

"Mos harroni atë që tha Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë, që është se operacioni në Rafah duhet të përfundojë menjëherë, duhet të përfundojë tani. Këtë ia thashë edhe Benjamin Netanyahut", deklaroi kryeministri holandez.

Rutte shtoi se vendet e BE-së po mbështesin planin e armëpushimit në Gaza të mbështetur nga OKB-ja dhe presin që Izraeli dhe Hamasi të ndërmarrin hapat e nevojshëm për zbatimin e tij.

"BE-ja nuk ka menduar gjithmonë e unifikuar për këtë, por unë mendoj se këtu, për këtë propozim të veçantë të paqes, BE-ja është shumë e lidhur dhe në pajtim", tha ai.

"Me sa di unë, mendoj se pa asnjë vend abstenues apo mospajtues, ne të gjithë i bëjmë thirrje Izraelit dhe Hamasit tani që ta zbatojnë këtë propozim paqeje", deklaroi Rutte./aa