Mijëra qytetarë protestuan në Argjentinë kundër "paketës gjithëpërfshirëse të reformës ekonomike" të cilën qeveria e presidentit Javier Milei dëshiron ta zbatojë.
Mijëra njerëz të mbledhur para Kongresit në kryeqytetin Buenos Aires, reaguan ashpër ndaj paketës së reformës ekonomike të qeverisë dhe u përplasën me policinë. Forcat e sigurisë iu përgjigjën me gaz lotsjellës dhe ujë protestuesve të cilët sulmuan me kokteje molotovi dhe gurë.
Gjatë incidenteve u plagosën 40 persona dhe u ndaluan 30 aktivistë. Forcat përforcuese të sigurisë u dërguan pasi protestuesit marshuan drejt kongresit.
Pesë deputetë të opozitës të prekur nga ndërhyrja e policisë me gaz lotsjellës janë shtruar në spital. Organizatat sociale, partitë e majta, pensionistët, mësuesit dhe sindikatat e ndryshme mbështetën protestën.
- Reagimi i opozitës
Deputeti i opozitës, Mariano Recalde argumentoi se punonjësit do të dëmtohen rëndë nga ky ligj dhe tha: "Të drejtat e punonjësve do të kthehen një shekull më parë".
Bartolome Abdala, deputet nga partia në pushtet, theksoi rëndësinë e ligjit dhe shtoi se paketa e reformës duhet pranuar për mirëqenien e argjentinasve.
Duke folur në një seancë financiare të mbajtur në Buenos Aires, presidenti Milei tha: "Këto ligje janë diskutuar prej 6 muajsh. Nëse do të miratoheshin shpejt, procesi i përshtatjes do të ishte më pak i dhimbshëm, por politikës nuk i intereson kjo".
Ministri i Financave, Luis Caputo deklaroi se nëse paketa e reformës miratohet nga Senati, kushtet ekonomike në vend do të përmirësohen më shpejt.
- Paketa e reformës ekonomike
Paketa e reformës ekonomike, e njohur si "Ligji i parimeve bazë dhe pikave fillestare", konsiderohet një ndryshim rrënjësor në Argjentinë.
Me këtë ligj, qeveria e presidentit Milei synon të bëjë më dominante ekonominë e tregut të lirë dhe të reduktojë ndërhyrjen e shtetit. Qeveria, e cila dëshiron që investimet e sektorit privat të rriten, dëshiron të zbatojë edhe privatizimet.
Paketa e reformës ekonomike, e cila u konsiderua si një nga premtimet më të mëdha zgjedhore të presidentit Milei, u miratua me shumicë votash në Dhomën e Përfaqësuesve në prill.
Ligji, i cili ende po diskutohet në Senat, është kritikuar ashpër nga deputetët e opozitës./aa