Hamasi tha se përpjekja e sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Anthony Blinken për të shfajësuar Izraelin nga shkelja e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza është vazhdim i politikës së vendit të tij për bashkëpunim në "gjenocidin" e kryer në Rripin e Gazës.
"Përpjekja e Blinkenit për të shfajësuar Izraelin dhe për ta bërë Hamasin përgjegjës për parandalimin e arritjes së një marrëveshjeje është vazhdim i politikës së vendit të tij për bashkëpunim në luftën gjenocidale", thuhet në deklaratën e Hamasit.
Hamasi "e ka marrë në konsideratë propozimin e paraqitur, të gjitha sugjerimet për arritjen e marrëveshjes së armëpushimit dhe lirimin e të burgosurve, pozitivisht dhe me përgjegjësi kombëtare", thuhet më tej.
"Bota nuk dëgjoi asnjë shprehje kënaqësie nga Netanyahu dhe qeveria e tij në lidhje me vendimin e KS të OKB-së dhe se Izraeli vazhdon të refuzojë çdo armëpushim të përhershëm në Gaza, duke kundërshtuar qartë propozimin e presidentit amerikan, Joe Biden", thuhet në deklaratën e Hamasit.
Në konferencën për media që mbajti në Shtëpinë e Bardhë më 31 maj, Biden njoftoi se Izraeli kishte bërë një propozim të ri në lidhje me armëpushimin dhe të burgosurit në Gaza.
Hamasi njoftoi se ia kishte përcjellë Egjiptit dhe Katarit përgjigjen e tij ndaj propozimit të armëpushimit të Izraelit në Rripin e Gazës, të shpallur nga Bideni.
Në përgjigjen e tij ndaj planit të armëpushimit, Hamasi tha se i jepte përparësi përfundimit të sulmeve të Izraelit dhe pushtimit të Gazës dhe se "ka treguar qasje pozitive ndaj marrëveshjes që do t'i japë fund luftës"./aa