Ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani tha se vendi i tij ka pasur një kryesim të suksesshëm me Procesin e Bashkëpunimit në Evropën Juglindore (SEECP), duke theksuar se “kanë tejkaluar pritshmëritë”.

Në një konferencë të përbashkët me zv/ministren e Jashtme të Shqipërisë, Artemis Malo, vend i cili merr kryesimin e radhës së SEECP-së, ministri në largim Osmani tha se suksesi më i madh është nominimi i përbashkët i një kandidati për Sekretar të Përgjithshëm të Këshillit Rajonal për Bashkëpunim (RCC), gjë që nuk mund të arrihej për tre vjet.

"Kemi arritur konsensus dhe kemi propozuar kandidatin e Sarajevës, z.Amer Kapetanoviç, për pozitën e Sekretarit të Përgjithshëm të RSS-së, ndërsa komisioni i drejtorëve politikë ka arritur konsensus për deklaratën e Samitit të Shkupit që u pranua nga ministrat dhe do të vazhdojë me miratim nga përfaqësuesit e samitit të sotëm", tha Osmani.

Zv/ministrja e Jashtme të Shqipërisë, Artemis Malo, në fjalën e saj theksoi rëndësinë e SEECP-së në bashkëpunimin rajonal në të gjitha sferat, duke theksuar vullnetin politik dhe përkushtimin e Shqipërisë në kryesimin e radhës me SEECP-në.

"Motoja jonë është 'Të formësojmë të ardhmen tonë evropiane'. Tirana si kryesues do të angazhohet plotësisht për konsolidimin dhe avancimin e mëtejshëm të arritjeve. Do të kontribuojë më tej në forcimin e bashkëpunimit rajonal duke rritur bashkëpunimin për zbatimin e tregut të përbashkët rajonal si dhe në nxitjen e procesit të integrimit evropian", tha Malo.

Konferenca e përbashkët e diplomatëve të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë erdhi pas takimit të ministrave të Punëve të Jashtme të vendeve pjesëmarrëse në SEECP.

Më vonë gjatë ditës do të mbahet Samiti i krerëve të shteteve dhe qeverive të vendeve pjesëmarrëse të SEECP-së, ku nikoqire do të jetë presidentja e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova.

SEECP është nismë rajonale në të cilën janë anëtarë 13 vende: Maqedonia e Veriut, Türkiye, Shqipëria, Kosova, Bosnjë e Hercegovina, Bullgaria, Greqia, Rumania, Serbia, Kroacia, Moldavia, Mali i Zi dhe Sllovenia./aa