Dhuna në familje është një prej problematikeve më të mëdha të shoqërisë. Nga statistikat e publikuara në faqen zyrtare të Gjykatave bëhet e ditur se për 3 mujorin e parë të këtij viti janë lëshuar 53 urdhra të menjëhershme mbrojtje.

Në 33 raste gjykatat kanë marrë vendim për largimin nga banesa të personit të akuzuar ndërsa në 5 raste kërkesa është rrëzuar dhe në 13 është pushuar gjykimi.

Problematika e dhunës në familje është dhe respektimi i distancës që duhet të mbajë dhunuesi ndaj viktimës, ku në të shumtën e rasteve konstatohet se ajo nuk respektohet e mjaft raste përfundojnë në tragjedi.

Kështu nga të dhënat nga gjykatat vetëm 29 raste gjykata ka marrë vendim për distancë të caktuar mes viktimës dhe dhunuesit.

Ndërsa në 28 të tilla thuhet se dhunuesi nuk duhet t’i afrohet banesës, vendit të punës, apo vendeve të frekuentuar nga viktima.

Ajo cka vihet re është se gjykata në asnjë rast të denoncimit të dhunës përgjatë 3 mujorit të parë nuk ka strehuar viktimën në strehime të përkohshme, edhe pse ky është një detyrim ligjor.

Në mbarë vendin ka me qindra gra të tjera që kanë përjetuar dhe vazhdojnë të përjetojnë dhunë nga partnerët e tyre, por hezitojnë të denoncojnë ose rikthehen tek dhunuesit për shkak të kushteve të vështira sociale dhe ekonomike./OraNews