Ambasadori gjerman, Karl Bergner takoi dje Komisionerin Shtetëror të Zgjedhjeve, Ilirjan Celibashi, për të diskutuar mbi gjendjen aktuale të reformës së ligjit zgjedhor në Shqipëri.
Ambasadori Bergner nënvizoi nevojën për zbatimin e shpejtë dhe të plotë të vendimeve detyruese të Gjykatës Kushtetuese shqiptare për ligjin zgjedhor si dhe rekomandimet e OSBE/ODIHR, të cilat pasqyrojnë edhe pritshmëritë e partnerëve ndërkombëtarë të Shqipërisë, njoftoi ambasada gjermane në Tiranë.
Ai theksoi se, të gjitha grupet politike dhe deputetët e Kuvendit të Shqipërisë kanë përgjegjësinë të kontribuojnë në mënyrë konstruktive dhe me frymë bashkëpunimi në procesin e vazhdueshëm të reformës së ligjit zgjedhor dhe të arrijnë një marrëveshje deri në fund të korrikut. Kjo edhe në respekt të qytetarëve të Shqipërisë./ata