Ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin Elisa Spiropali, tha sot se në Bashkimin Evropian nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar dhe në këtë kontekst, dora e mazhorancës për bashkëpunim me opozitën mbetet e shtrirë.
Ministrja Spiropali, në fjalën e saj, gjatë procesit të konstituimit të Komisionit të Posaçëm Parlamentar “Për thellimin e reformave për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Evropian”, tha se “kjo strukturë e re parlamentare është një hapësirë gjithëpërfshirëse, që i mundësohet Kuvendit nga Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi dhe duhet përdorur si një tregues i vullnetit politik dhe institucional të Shqipërisë, pa dallime partiake, për një cikël të ri reformimi në funksion të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe antikorrupsionit si domosdoshmëri për mbërritjen e objektivit strategjik kombëtar të anëtarësimit në BE brenda vitit 2030″.
“Një nga sfidat kryesore lidhet me domosdoshmërinë për vazhdimin e mëtejshëm dhe thellimin në zbatimin e reformave themelore, duke përfshirë reformën në drejtësi, funksionimin e institucioneve demokratike dhe reformën në administratës publike. Qeveria shqiptare ka udhëhequr nje proces kompleks shqyrtimi analitik ne Bruksel”, tha Spiropali.
Ajo rreshtoi edhe rezultatet e arritura në përfundim të procesit Screening.
“Janë zhvilluar 67 takime screening dhe dypalëshe në Bruksel për 33 kapituj dhe 3 kriteret e anëtarësimit. Janë përfshirë 157 institucione shtetërore dhe 32 institucione të pavarura. 575 zyrtarë kanë marrë pjesë në takimet shpjeguese dhe 1004 zyrtarë në takimet bilaterale. Janë përgatitur 777 prezantime, të relatuara dhe argumentuara me rreth 20.000 faqe. Janë zhvilluar 126 ushtrime simuluese, ku janë trajnuar 661 zyrtarë. Shqipëria synon hapjen e negociatave për grupin e parë “Themeloret” brenda 6 muajve të parë të 2024-ës. Lidhur me hapjen e negociatave për grupin e parë “Themeloret” institucionet shqiptare kanë punuar paraprakisht për hartimin e 2 udhërrëfyesve”, vijoi Spiropali.
“Aktualisht janë hartuar, konsoliduar dhe konsultuar me shërbimet e Komisionit Evropian udhërrëfyesi i “Shtetit të së Drejtës” dhe udhërrëfyesi “Reforma në Administratën Publike”, që përmenden edhe në Rezolutën e votuar nga Kuvendi dhe në vendimin e Komisionit të Posaçëm të këtij Kuvendi”, tha Spiropali.
“Paralelisht me punën për hartimin e piketave hapëse (udhërrëfyesve) është hartuar edhe drafti i parë i pozicionit negociues për “Themeloret”. Të gjitha këto masa si më sipër janë marrë për të siguruar që Shqipëria të jetë gati teknikisht për hapjen e negociatave, pra për zhvillimin e Konferencës së 2-të Ndërqeveritare”, u shpreh Spiropali.
“Në këtë kontekst rezoluta “Për Thellimin e Reformave të Mirëqeverisjes, Sundimit të Ligjit dhe Antikorrupsionin për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian” dhe vendimi për ngritjen e Komisionin të Posaçëm me këtë emër dhe këtë mision, votuar në Kuvendin e Shqipërisë, vijnë si një manifestim i përgjegjësisë dhe besimit tonë se në këtë fazë vendimtare për modernizimin e shtetit tonë duhet një qasje kombëtare dhe gjithëpërfshirëse. Adresimi i të gjitha rekomandimeve të raporteve të BE dhe procesit ‘screening’ kërkojnë një analizë, reagim, koordinim dhe veprim të përbashkët institucional”, tha Spiropali.
“Qeveria shqiptare i ka miratuar dy udhërrëfyesit e rëndesishëm dhe po i zbaton në përditshmëri si udhëheqëse e këtij procesi anëtarësimi, për të përmbushur detyrimet e procesit te negociatave dhe për të bërë të mundur që Konferenca e Dytë ndërqeveritare të zhvillohet sa më shpejt dhe pa asnjë vonesë”, bëri të ditur ministrja Spiropali.
“Në Bashkimin Europian nuk integrohet qeveria, por shteti shqiptar. Ndaj hapësira gjithëpërfshirëse që i mundësohet Kuvendit nga Kushtetuta dhe kuadri ligjor në fuqi, duhet përdorur si një tregues i vullnetit politik dhe institucional të Shqipërisë, pa dallime partiake, për një cikël te ri reformimi ne funksion te mirëqeverisjes, sundimit te ligjit dhe antikorrupsionit si domosdoshmëri për mbërritjen e objektivit strategjik kombëtar të anëtarësimit në BE brenda vitit 2030”, shtoi Spiropali.
“Dora jonë për deputetët e opozitës mbetet e shtrirë. Debatet politike janë të përditshme e mbahen mend përkohësisht. Dialogu konstruktiv politik dhe institucional brenda Kuvendit dhe me pushtetet e tjera si dhe me aktorë të tjerë shoqërorë ne vend, përbën një qasje te re dhe aq te nevojshme për ciklit e ri te reformimit, demokratizimit dhe forcimit të rolit të Kuvendit. Kjo është puna që mbetet!”, tha Spiropali.
“Qeveria shqiptare, ministritë dhe institucionet e varësisë, janë dhe do të mbeten në dispozicion të këtij komisioni për materiale, analize, të dhëna, ekspertizë, paraqitje, dëgjesa, dhe gjithçka mund të lipset në punën tuaj të nderuar”, përfundoi Spiropali./ata