Departamenti i Shtetit të SHBA-së njoftoi se janë të gatshëm të rrisin presionin ndaj Teheranit me aleatët e tyre nëse Irani nuk bashkëpunon me Agjencinë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA).
Në deklaratën e Departamentit thuhet se raporti i IAEA-së për rritjen e kapacitetit bërthamor të Iranit tregon qartë se ky vend synon të vazhdojë zgjerimin e programit bërthamor në një mënyrë që "nuk do t'i shërbejë qëllimeve paqësore".
"Nëse Irani i zbaton këto plane, do të jepe përgjigje në përputhje me këtë", theksohet në deklaratën ku Teheranit i bëhet thirrje që të bashkëpunojë me IAEA-në pa u vonuar me shumë për të zbatuar plotësisht përgjegjësitë e tij të detyrueshme të mbrojtjes në aspektin ligjor.
"Ne jemi në koordinim të ngushtë me partnerët dhe aleatët tanë dhe jemi të gatshëm të rrisim presionin ndaj Iranit nëse ai vazhdon të mos bashkëpunojë me IAEA-në", thuhet në deklaratë. Bordi i drejtuesve të IAEA-së më 5 qershor pranoi "rezolutën e propozuar që kritikon Iranin për mosbashkëpunim me Agjencinë".
Në vendim, Iranit iu kërkua të merrte hapat e nevojshëm në përputhje me Marrëveshjen e Kontrollit të Sigurisë, Protokollin Shtesë dhe rregulloret e emërtuara "Kodi 3.1" dhe të japë shpjegim teknikisht të besueshëm lidhur me grimcat e uraniumit të zbuluara në dy objekte në këtë vend.
Theksohet se agjencia për shkak të problemeve që kishte në verifikimin dhe kontrollin e aktiviteteve bërthamore të Iranit nuk jep garanci se programi bërthamor i këtij vendi është plotësisht paqësor. Teheranit iu bë thirrje të zgjidhë problemet serioze të përjetuara në qasjen e plotë, verifikimin dhe inspektimin e objekteve bërthamore.
Irani kishte njoftuar se vendimi kundër tij, i cili u dorëzua dhe u pranua nga Bordi i Drejtuesve të IAEA-së, do të ndikonte seriozisht në bashkëpunimin e tij me Agjencinë. Në raportin e ndarë dje nga IAEA-ja me vendet anëtare të Bordit të Agjencisë, u raportua se Teherani ka rritur kapacitetin e tij bërthamor./aa