Ish-kryeministri Pandeli Majko u shpall sot “Qytetar Nderi” i Rahovecit.

Për kontributin e tij të çmuar gjatë luftës së fundit në Kosovë, në ditën e 25-vjetorit të çlirimit të komunës së Rahovecit, kryetari Smajl Latifi e ka shpallur qytetar nderi ish-kryeministrin e Shqipërisë, Pandeli Majko.

I emocionuar për lëvdatat që u thanë ndaj tij, Majko u shpreh se detyra e tij ishte të mos tradhtonte veten, kombin dhe Kosovën.

Sipas Majkos, kontributi i tij nuk krahasohet me ushtarët e UÇK-së që dhanë gjënë më të shtrenjtë, jetën.

“Nuk mendoj se ato që i kam bërë mund të krahasohen me ato që kanë bërë ushtarët e UÇK-së që kanë dhënë gjënë më të shtrenjtë që është jeta. Detyra e kryeministrit ishte mos të tradhtonte veten, kombin dhe Kosovën. Ishte një gjest simbolik, pasi isha dhe jam i bindur se SHBA, Britania e Madhe dhe NATO nuk na lënë, as nuk do të na lënë, sepse me luftën e Kosovës ka qenë jo vetëm fitore”, u shpreh Majko.

Kryetari i komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, tha se Majko ishte njeriu i duhur, në kohën dhe momentin e duhur, për Kosovën dhe popullin e saj.

“Që nga viti 1913 popullata e kësaj ane ka përjetuar dhunë sistematike. Populli i kësaj ane që është shtyrë dhunshëm drejt asimilimit. Humbëm shumë njerëz, gjaku i të cilëve forcon themelet e lirisë që e kemi sot. Duke qenë në krye të qeverisë zotëri Majko i mblodhi krerët pas masakrës së Reçakut dhe ju tha atyre ‘kur serbët na vrasin ne bashkohemi’. Qeveria shqiptare duke shprehur shqetësimin e saj, kërkon një ndërhyrje sa më të shpejtë në Kosovë. Gjithashtu, kanë nënshkruar një dokument sekret, ku Majko merr përsipër furnizimin e UÇK-së me armatim. Majko, ishte njeriu i duhur në kohën e duhur dhe në momentin e duhur. Kosova mbetet çështje e zemrës për atdhetarin Pandeli Majko. Qëndrimi i tij i prerë e ka rritur krenarinë tonë kombëtare”, tha Latifi.

Gjithashtu, ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Petrit Malaj shtoi se nën drejtimin e Majkos mijëra shqiptarë nga Kosova u strehuan në Shqipëri.

Malaj, shtoi se ai ka pasur një rol kyç në ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë.

“Rahoveci, si shumë vende tjera në Kosovë, ka treguar se fuqia dhe vendosmëria e njerëzve tanë është e pamposhtur, dëshmi e forcës dhe rezistencës së popullit. Kujtojmë të gjithë ata që dhanë jetën për lirinë sakrifica e të cilëve nuk do të harrohet kurrë. Ish -kryeministri shqiptar, Pandeli Majko ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm në mbështetjen e Kosovën në momentet më të brishta. Ka qenë një zë i fuqishëm dhe një mik i madh, i cili vazhdon të jetë një mik i Kosovës. Nën drejtimin e tij Shqipëria priti qindra e mijëra shqiptarë të Kosovës. Luajti një rol kyç në intervenimin e NATO-s në Kosovë. Kontributi i tij nuk do të harrohet asnjëherë”, shtoi Malaj.

Edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e falënderoi Majkon për kontributin e tij gjatë luftës. Ai theksoi se Majko nderoi popullin e Kosovën në mënyrën më të mirë të mundshme.

“Na keni nderuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Po shënojmë çerekshekulli nga liria jonë. Rahoveci e ka nderuar vetën në mënyrën më të mirë, sepse ka zgjedhur Majkon për qytetar nderi. Falënderoj Majkon, urime me meritë, faleminderit!” – theksoi Haradinaj.

Pas seancës solemne të Kuvendit Komunal të Rahovecit, kryetari Latifi së bashku me ish-kryeministrin e Shqipërisë Majko, ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Malaj dhe kryetarin e AAK-së Ramush Haradinaj vizituan kullën e heronjve të Rahovecit “Toni dhe Mici”, ku përuruan emblemën e UÇK-së dhe vizituar kompleksin memorial në Gradish./ata