Me rritjen e numrit të vizitorëve në parqet arkeologjike, rritet edhe përgjegjësia për të ofruar sa më shumë shërbime dhe për të mundësuar një qëndrim të këndshëm.

 

“Të gjitha Drejtoritë Rajonale janë angazhuar për përmirësimin e sinjalistikës dhe pastrimin nga vegjetacioni”, shkroi ministrja e Kulturës, Margariti në rrjetet sociale.

 

Në kuadër të marrjes së masave për sezonin turistik, DRTK Vlorë ka rinovuar të gjitha tabelat shpjeguese përgjatë itinerarit të vizitueshëm në Parkun Arkeologjik të Finiqit, ndërsa DRTK Gjirokastër vijon me pastrimin e vegjetacionit dhe hapjen e rrugëve dytësore për vizitueshmërinë e monumenteve në Parkun Arkeologjik Antigone.

 

Parqet, sitet e objekte të tjera të trashëgimisë kulturore kanë regjistruar këtë vit, një numër të lartë vizitorësh, si vendas ashtu dhe të huaj. Pak ditë më parë, kryeministri Rama solli shembullin e Parkut Arkeologjik Kombëtar të Apolonisë, i cili shënoi këtë 6-mujor një rekord historik turistësh. Mbi 34 mijë turistë e kanë vizituar vetëm 6 muajt e parë të vitit Parkun e Apollonisë, 30 % më shumë se në vitin 2022.

 

Rritje të vizitueshmërisë kanë regjistruar edhe disa kala të vendit, si ajo e Rozafës dhe Gjirokastrës, disa nga atraksionet më të rëndësishme në vend, ku vizitorët kanë ardhur gjithnjë në rritje.