Presidenti Bajram Begaj është nisur sot në Zvicër për të marrë pjesë në Samitin e nivelit të lartë të Paqes për Ukrainën, që do të zhvillohet më 15-16 Qershor 2024 në Bürgenstock, pranë qytetit të Lucernës.

Zyra e shtypit e presidencës, bën të ditur se Samiti do të bazohet në diskutimet, veçanërisht mbi formulën e paqes në Ukrainë, propozimet e tjera të paqes bazuar në Kartën e OKB-së dhe parimet kryesore të së drejtës ndërkombëtare.

Presidenti Begaj do të jetë në këtë samit krahas personaliteteve më të larta të botës.

Në këtë Samit do të marrë pjesë edhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali. “Me Presidentin Bajram Begaj, për në Samitin e Paqes për Ukrainën, që do të zhvillohet sot dhe nesër në Bürgenstock, pranë qytetit të Lucernës, në Zvicër”, shprehet ministrja në një postim në rrjetet sociale./ata