Kryeministri Edi Rama ka reaguar në lidhje me arrestimin e kandidatit “Bashkë Fitojmë” për Himarën, Fredi Beleri.

 

Përmes një postimi në Twitter, Rama thekson se beteja politike e Partisë Socialiste me kandidatin Beleri nuk ka asnjë lidhje me hetimet dhe përfundimet e prokurorisë.

 

Shefi i qeverisë i bën thirrje të gjithëve të mos nxitohen me deklarata politike, por të presin me durim provat e prokurorisë për shkeljen e ligjit nga kandidati i “Bashkë Fitojmë” për Himarën.

 

“Ndalimi i kandidatit të opozitës për Himarën F.Beleri me urdhër të prokurorisë përbën një sprovë të madhe për drejtësinë në vigjilje të zgjedhjeve, që do të thotë se shkelja e ligjit nga ana e tij duhet të jetë e provuar dhe ndalimi i tij ligjërisht i motivuar!

 

Beteja jonë me atë kandidat nuk ka asnjë lidhje me hetimet apo përfundimet e prokurorisë, prandaj duke respektuar pavarësinë e plotë të organeve të drejtësisë, i bëj thirrje të gjithëve të mos nxitohen me konkluzione politike po të presin me durim fjalën dhe provat drejtësisë”, shkruan Rama në Twitter.