Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në ceremoninë e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) për shënimin e 25-vjetorin e Epopesë së UÇK-së, theksoi se më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz u luftua nga Serbia fashiste e Sllobodan Millosheviçit, e cila siç u shpreh ai ka menduar se duke vrarë Adem dhe Hamëz Jasharin, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës.

 

Kryeministri Kurti në fjalimin e tij të dielën në kazermën “Adem Jashari” tha se lufta e ndezur nga forcat serbe në Prekaz, e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth UÇK-së, të cilët e arritën edhe mbështetjen e NATO-s, me përkrahjen e së cilës iu dha goditja përfundimtare Serbisë dhe u çlirua Kosova më 1999, raporton KosovaPress.

 

“Më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1998, anëtarët e familjes Jashari rezistuan në vendlindjen e tyre, aty ku ndër breza kishin mësuar ta donin atdheun dhe ku ishin edukuar të luftonin për lirinë e tij edhe me jetë. Në familjen e Shaban Jasharit në Prekaz, u luftua për tre ditë rresht, nën një rrethim të blinduar nga disa mijëra trupa policore të Serbisë, që me makineri ushtarake në përmasa frontale, qëlluan me predha dhe bombarduan në ritme shumë intensive mbi shtëpitë e Shabanit, duke vrarë gjithsej 59 njerëz. Serbia fashiste e Millosheviqit, kishte menduar atë kohë gabimisht që duke vrarë Ademin dhe Hamzën, mund ta shuante UÇK-në dhe luftën e saj të drejtë për çlirimin e Kosovës. Por duke ndezur luftën në Prekaz, ajo vetëm sa e nxiti edhe më shumë mobilizimin dhe përbashkimin e njerëzve rreth Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që nga disa grupe personash të armatosur, me luftën e saj të drejtë dhe të çiltër, arriti ta fitonte edhe përkrahjen e Aleancës së NATO-s dhe veçanërisht të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, që u përfshinë më pas në luftë për të dhënë bashkë goditjet përfundimtare Serbisë dhe për ta çliruar Kosovën në qershor të vitit 1999”, theksoi ai.

 

Kurti tha se komandanti Adem Jashari është i gjallë në ushtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës sot.

 

“Në këtë 25-vjetor të Epopesë së UÇK-së, le të kujtojmë fillet e kësaj tradite përkujtimore, të nisur më 5, 6 dhe 7 mars të vitit 1999, kur ushtarët e UÇK-së thanë për herë të parë: “Ai është gjallë”. Ato ditë ishte ende koha e luftës, e asaj lufte për të cilën Adem Jashari ishte përgatitur gjithë jetën dhe asaj lufte që ai ia kushtoi tërë jetën. U tha “Ai është gjallë” edhe pse ai kishte vdekur për liri, sepse ishte pikërisht rënia e tij heroike, që kishte bërë që Adem Jashari të mbetej i gjallë mes ushtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. “Ai është gjallë” edhe sot, veçanërisht sot, dhe veçanërisht te ju ushtarë të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, theksoi Kurti.

 

Në emër të familjes së komandantit Adem Jashari, Rifat Jashari dha një mesazh bashkimi.

 

Ai tha se është krenari për të që të gjendet para ushtarëve të FSK-së, për të cilën është pritur e ëndërruar gjatë.

 

“Sot, Ushtria Çlirimtare e Kosovës na ka bashkuar për 25-vjetorin e Epopesë së Lavdishme. Është kënaqësi dhe krenari me qenë para kësaj ushtrie që e kemi prit denbabaden. Ju uroj 25 vjetorin, shëndet e punë të mbarë. Lutem t’i arrijmë qëllimet tona shekullore për hir të luftës, gjakut të bijve tanë e gjejmë një gjuhë të përbashkët dhe t’i arrijmë qëllimet deri në maksimum si të gjitha shtetet që ekzistojnë në botë”, tha Jashari.

 

5, 6 dhe 7 mars janë datat që shënojnë rezistencën e familjes Jashari në Prekaz, e cila u sulmua nga forcat e okupatorit serb.