Ish- trajneri i kombëtares shqiptare Gianni De Biasi në një intervistë për “Fanpage” ka rrëfyer përvojën e tij të gjatë si trajner i Shqipërisë nga viti 2011 deri në vitin 2017, duke kontribuar në rindërtimin e kombëtares.
“Kur erdha unë, Shqipëria ishte në vendin e 83-të në renditjen e FIFA-s dhe i çova në vendin e 22-të, vetëm 6 pozicione pas Italisë. Shumica e lojtarëve luajnë në Serie A, të tjerët në Premier League, La Liga dhe Bundesliga. Tani nuk ka të panjohur”, u shpreh ai për FanPage.
Jeni përpjekur të ndiqni modelin e futbollit italian në Shqipëri?
“Jo, kam ndjekur modelin Gianni De Biasi. Kam shfrytëzuar vlerat personale përtej aspekteve teknike, fokusova gjithçka në një mentalitet fitues dhe u premtova se nëse do të më ndiqnin do të shkonin larg”.
Cilat mendoni se janë mundësitë e Shqipërisë?
“Sinqerisht besoj se Shqipëria është e katërta në këtë grup për nga bilanci. Më pas mendoj se Spanja, Italia dhe Kroacia janë pak a shumë në të njëjtin nivel. Do të jem në tribunë. Shqipëria nuk është më një surprizë dhe unë jam ende krenar që kam nisur këtë ngjitje të gjatë”
Një parashikim për fazën e grupeve të Shqipërisë dhe Italisë?
“Shpresoj që të dyja të kalojnë, por rruga e Shqipërisë është pak më e vështirë se ajo e Italisë”.
I pyetur për ndeshjen sot se për cilën skuadër do të bënte tifo, Gianni de Biasi u shpreh:
“Me Shqipërinë tonë. Nuk kam asnjë flamur italian, kam vetëm simbole shqiptare. Zemra më thotë Shqipëri sepse aty jam ndier mirë, jam gjetur në një mjedis fantastik. Por kam kombësi shqiptare. Por për të qenë i sinqertë, jam 51% shqiptar dhe 49% italian”./VizionPlus