Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, ka paralajmëruar se çdo ri-përpjekje e grupit terrorist PKK për të mbajtur të ashtuquajturat zgjedhje në Siri do të përballet me kundërshtimin e vendosur nga Türkiye.

“Nuk ka asnjë zgjedhje. Le ta bëjmë të qartë fillimisht... Ekziston një skemë e rregulluar për të legjitimuar një organizatë terroriste dhe për të krijuar një shtet terrorist në rajon”, tha presidenti Erdoğan në përgjigje të pyetjeve të gazetarëve gjatë kthimit të tij nga vizitat në Spanjë dhe Itali.

Erdoğan theksoi historikun e Türkiyes në prishjen e skemave të tilla në të kaluarën.

Duke theksuar se ministri turk i Punëve të Jashtme, Hakan Fidan, zhvilloi diskutime të gjera në Moskë me presidentin Vladimir Putin dhe ministrin e Punëve të Jashtme, Sergey Lavrov, për këto çështje kritike, Erdoğan tha se, “Organizata terroriste PKK dhe të tjerët nuk do të kenë mundësinë të veprojnë lirisht në Siri. Nëse krijohet një situatë e tillë, sigurisht që do të mobilizojmë njësitë tona përkatëse. Ne nuk do të lejojmë që të krijohet një shtet terrorist nën hundën tonë. Ne kurrë dhe kurrë nuk do të hezitojmë të bëjmë gjithçka që është e nevojshme për ta arritur këtë”.

Më herët, grupi terrorist PKK ka njoftuar se të ashtuquajturat zgjedhje lokale, të planifikuara më parë për 11 qershor në territoret e pushtuara, u shtynë për më 18 gusht.

Qëndrimi i Türkiyes dhe Spanjës për Palestinën

Më tej, presidenti Erdoğan theksoi lidhjet në rritje tregtare dhe kulturore midis Türkiyes dhe Spanjës, si dhe qëndrimin e unifikuar të dy vendeve për çështjen palestineze.

“Spanja ka dëshmuar se është një fener që drejton anijen e njerëzimit në errësirë”, tha Erdoğan, duke iu referuar vendimit të Madridit për njohjen e një shteti palestinez më 28 maj, së bashku me Norvegjinë dhe Irlandën.

Sipas presidentit turk, “perspektiva jonë e përbashkët me Spanjën për çështjen e Palestinës është thelbësore”.

“Për të kaluar provën me të cilin po përballet njerëzimi për Palestinën, besoj se është e domosdoshme që vende të tjera të shprehin me vendosmëri kundërshtimin e tyre ndaj Izraelit dhe të pozicionohen në anën e paqes”, theksoi ai.

Rezoluta e OKB-së për armëpushimin

Erdoğan gjithashtu shprehu optimizëm të matur në lidhje me miratimin e një rezolute nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së që propozon një marrëveshje armëpushimi në tre faza për Gazën, ku Izraeli që nga tetori i kaluar ka vrarë të paktën 37 mijë palestinezë.

“Derisa rezoluta e miratuar nga Këshilli i Sigurimit i OKB-së është një hap pozitiv, ajo mund të konsiderohet e pamjaftueshme. Historia e Izraelit e anashkalimit të vendimeve të shumta të marra në letër është e njohur”, theksoi ai.

Presidenti turk përsëriti se rruga drejt paqes përfundimtare në rajon qëndron në një zgjidhje me dy shtete dhe u kërkoi anëtarëve të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të njohin Palestinën si shtet.

Erdoğan tha se është i kënaqur me ofertën e armëpushimit të shpallur nga presidenti amerikan, Joe Biden, më 31 maj, por tha se ka nevojë për përpjekje të sinqerta për t’i dhënë fund dhunës në Palestinë.

Duke komentuar marrëdhëniet e SHBA-së me Izraelin dhe një lëvizje proteste në favor të Palestinës në të gjithë vendin, Erdoğan tha se, “Zërat në rritje nga universitetet, rrugët, studentët dhe rektorët amerikanë tregojnë se një ndryshim i rëndësishëm është duke u zhvilluar”.

Avioni luftarak ‘Eurofighter Typhoons’

Lidhur me prokurimin e avionit luftarak ‘Eurofighter Typhoons’ dhe kundërshtimit të Gjermanisë, Erdoğan tha se ka pasur bisedime me kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez, për këtë çështje.

Avioni ‘Eurofighter Typhoons’ është zhvilluar bashkërisht nga Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Italia dhe Spanja.

“Siç e dini, avionët stërvitor të Spanjës janë të rëndësishëm. Ata kanë mundësinë ose aftësinë të na ofrojnë këto avionë stërvitor. Por në pikën e kontaktit me Gjermaninë, u thashë atyre (Spanjës) që të na ndihmonin në këtë drejtim. ‘Eurofighter’ është i rëndësishëm për ne tani”, tha Erdoğan, duke shtuar se homologët ministror janë të angazhuar në diskutime për ta çuar përpara këtë agjendë.

Ai po ashtu theksoi preferencën e Türkiyes për të blerë produkte mbrojtëse nga aleatët e NATO-s.

"Qasja jonë bazë është e qartë. Ne preferojmë t'i plotësojmë nevojat tona kryesisht nga aleatët tanë të NATO-s. Megjithatë, nëse arrihet një rezultat negativ në fund të procesit, ne nuk jemi pa alternativa”, tha presidenti turk.

Erdoğan gjithashtu theksoi përparimet e fundit të Türkiyes në aftësitë e mbrojtjes, duke përfshirë avionin luftarak KAAN.

Shqetësimet për racizëm në Evropë

Më tej, presidenti turk theksoi gjithashtu nevojën që Evropa të ballafaqohet me rritjen e racizmit, duke paralajmëruar pasoja nëse nuk kontrollohet.

“Ne kemi vënë në dukje rrezikun e afërt për një kohë të gjatë”, tha presidenti turk, duke komentuar një pyetje mbi arritjet e ekstremit të djathtë në zgjedhjet e Parlamentit Evropian të mbajtura së fundmi.

Siç theksoi ai, është thelbësore që “Evropa të veprojë dhe të zbatojë masa realiste, përndryshe, ky zjarr do të arrijë në një pikë ku do të djegë të gjithë”.

“Rreziqe të ngjashme ekzistojnë edhe në aspektin e terrorizmit”, tha ai, duke i bërë thirrje Evropës që të luftojë pa dallim të gjitha format e terrorizmit”.

“Le ta heqim përgjithmonë plagën e terrorizmit nga agjenda jonë së bashku”, theksoi Erdoğan./aa