Industria portuale është një nga kolonat më të rëndësishme të zhvilimit ekonomik të vendit dhe së shpejti do të hapet gara ndërkombëtare për ndërtimin e portit të ri në Porto Romanos, port i cili do t’i shërbejë Kosovës, Maqedonisë së Veriut por edhe për vendet e rajonit.

Kështu u shpreh Zëvendëskryeministrja, njëherësh ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku në takimin e zhvilluar sot në Durrës, “MARITIME WEEK 2024”, një organizim i Autoritetit Portual Durrës kushtuar detarisë dhe zhvillimit të mëtejshëm të sektorit.

Në fjalën e mbajtur me këtë rast ku ishin të pranishëm ambasadorë të akreditur në vendin tonë dhe personalitete të fushës, Balluku tha se, “investimet dhe projetet që janë bërë në 5 vite nga qeveria shqiptare, janë sa për 50 vite. Kjo sepse qeveria është angazhuar që të kapë hapin e vendeve të BE-së duke projektuar nisma afatgjatë për zhvillim të qëndrueshëm”.

Balluku tha se me synimin për zhvillimin e ekonomisë së qëndrueshme, që është baza e zhvillimit turistik të vendit, industria portuale po kthehet në kontributorin kryesor të PBB-së, apo si një nga sektorët i cili duhet të mbështesë eksportet e vendit.

Ajo vlerësoi rolin e industrisë detare jo vetën për sektorin turistik, por ky sektor, siç tha ajo, “është i lidhur me sigurinë që për një vend të vogël si Shqipëria apo në një pozitë gjeopolitike të jashtëzakonshme, është një nga elementët për të na bërë shumë të rëndësishëm në rajon”.

“Shpeshherë për ne është e vështirë që të arrijmë 2% që kërkohet nga një vend anëtar i NATO-s, por ama Zoti është treguar bujar me ne dhe na ka dhënë një pozicion gjeopolitik që dhe kur nuk e arrijmë atë 2%, na falet nganjëherë, pasi përveçse jemi besnikë të aleatëve tanë, nga ana tjetër jemi të rëndësishëm gjeopolitikisht. Jemi ata që mbajnë portën e madhe të Korridorit VIII. Korridori VIII, që lidh Italinë Europiane me Shqipërinë, me Maqedoninë e Veriut, dy vende të cilat aspirojnë të bëhen anëtare të Bashkimit Europian dhe me Bullgarinë, një tjetër anëtare e Bashkimit Europian”, u shpreh Balluku.

Gjithashtu, vijoi ajo, ne mbajmë portën e Korridorit Blu, atij që lidh Kroacinë, Malin e Zi, Shqipërinë dhe Greqinë. Pra të gjitha këto i japin një rëndësi të veçantë industrisë detare.

Balluku informoi se, tashmë ka nisur një strategji kombëtare për rivitalizimin e rrjetit hekurudhor shqiptar, duke e nisur pikërisht nga Durrësi, me hekurudhën e parë e cila lidh Tiranën, aeroportin e Rinasit dhe portin ndërkombëtar të Durrësit. Për të vazhduar pastaj me Korridorin VIII, për t’u lidhur nga Durrësi me Rrogozhinën dhe më pas me Pogradecin dhe dalje në dy pikat kufitare, atë të Maqedonisë së Veriut dhe atë të Greqisë dhe për të vazhduar më tej në një hekurudhë që do të nisë nga Durrësi dhe do t’i drejtohet trojeve të tjera të shqiptarisë, Kosovës.

“Durrësi vetëm pas pak javësh do të ketë hapjen e një gare ndërkombëtare për ndërtimin e porti të ri në zonën e Porto Romanos, pak milje larg nga këtu ku jemi, i cili do të jetë port i të gjithë shqiptarëve dhe i të gjithë ballkanasve perëndimorë, pasi parashikon që t’i ofrojë shërbime me dy porte të thata, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës, përveçse Shqipërisë. Ne për më tepër si mikpritës që jemi dhe si dashamirës të të gjithë shteteve të tjera të rajonit, do t’i kemi dyert të hapura edhe për Bosnjë-Hercegovinën, edhe për Serbinë, madje edhe për Malin e Zi”, deklaroi Balluku.

Balluku theksoi rëndësinë e bashkëpunmit rajonal si faktor në zhvillim.

“Sot përpara një epoke të re të zhvillimit, përpara mendësisë dhe vullnetit të Qeverisë shqiptare dhe të Kryeministrit Rama, ajo çka duhet të bëjmë është që të ndezim motorët, të punojmë me përkushtim, të gjejmë gjuhën dhe të ndërlidhim programet tona me Bashkimin Europian, me partnerët tanë strategjikë, shtetet anëtare të NATO-s, pa dyshim Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe mbi të gjitha me fqinjët. Kështu që bashkëpunimi rajonal, bashkërendimi i projekteve, programeve dhe pa dyshim vullneti politik i qeverive të rajonit tonë, të shumëvuajtur, që aspiron një herë e mirë të bëhen pjesë e Bashkimit Europian, pasi natyrshëm jemi pjesë e këtij bashkimi është ajo çka na frymëzon për të bërë punë tonë ashtu siç duhet”, u shpreh Balluku./ata