Drenova dhe Kasnica janë dy fshatra të njohur për plantacionet e qershive por këtë vit prodhimi është i pakët për shkak të kushteve të motit. Një tjetër problem për fermerët është çmimi i ulët. Ata thanë se prodhimin e japin me 50 lekë kilogrami me shumicë ndërkohë që në treg qershitë shiten deri në 250 lekë kilogrami.
Drenova dhe Kasnica janë dy fshatra mjaft të njohur për prodhimin e qershive po këtë vit duket se kushtet e motit kanë ndikuar negativisht në rendimentin e prodhimit. Sasia është e pakët ndërsa në shumë raste prodhimi është dëmtuar duke bërë që të mos shkojë në treg. Në veçanti në Kasnicë pjesë e Bashkisë Patos banorët thonë se për të dytin vit prodhimi është i papërfillshëm për shkak të faktorëve atmosferikë.
Ndonëse pak kilometra më tutje në fshatin Drenovë të Mallakastrës prodhimi është pak më i bollshëm, këtu problemi kryesor është mungesa e fuqisë punëtore për mbledhjen e qershive. Gjithashtu banorët thonë se edhe çmimi nuk është në nivelin e kërkuar. Prodhimin banorët e japin me 50 lekë kilogrami me shumicë ndërkohë që në treg shiten me 250 lekë kilogrami.
Nisur nga kjo situatë mjaft familje që sigurojnë të ardhura nga fruti i qershisë janë vënë në vështirësi. Ky është viti i dytë që prodhimi ka qenë i pakët, në nje zonë e cila njihet për shumë kohësh si prodhuesja kryesore e këtij fruti në Qarkun e Fierit./Shqiptarja