Futbollisti francez, Kylian Mbappe bëri thirrje të "mos votohet e djathta ekstreme" në zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që do të mbahen në vendin e tij më 30 qershor dhe 7 korrik.

Duke folur për mediat para ndeshjes në Kampionatin e 17-të Evropian të Futbollit "EURO 2024" që po mbahet në Gjermani, Mbappe ka folur për zgjedhjet e parakohshme në vendin e tij.

Mbappe tha se është kundër "ideve ekstremiste dhe separatiste" dhe u bëri thirrje të rinjve francezë të votojnë në zgjedhjet që ai i cilësoi si një "moment kritik" për vendin e tij.

"Sot ne të gjithë shohim se ekstremistët janë shumë afër marrjes së pushtetit. Ne kemi mundësinë të zgjedhim të ardhmen e vendit tonë", deklaroi futbollisti Mbappe duke bërë thirrje "të mos votohet e djathta ekstreme".

Në zgjedhjet franceze për Parlamentin Evropian (PE) më 9 qershor, Bashkimi Kombëtar i ekstremit të djathtë (RN) zuri vendin e parë me një diferencë të madhe me 31.37 për qind të votave ndërsa partia "Renaissance" e presidentit Emmanuel Macron doli e dyta me 14.60 për qind.

Pas shpalljes së rezultateve të zgjedhjeve të PE-së, Macron tha se ka vendosur të shpërndajë Parlamentin dhe të shpallë zgjedhje të parakohshme në datat 30 qershor-7 korrik./aa