46% e të punësuarve në Shqipëri përjetojnë stres të përditshëm në punë. Raporti i fundit i Gallup “State of the Global Ëorkplace” e rendit Shqipërinë në vendin e 6 në Evropë, pas Qipros Veriore*, Maltës, Greqisë, Qipros e Luksemburgut, por më të stresuarit se gjithë vendet e tjera të Ballkanit.

Në Evropë, punonjësit shqiptarë janë të parët që duan ta lënë punën. Edhe pse kanë një punë, 42% e të punësuarve në Shqipëri mendojnë ta lënë atë dhe janë në kërkim të vazhdueshëm për një vend të ri pune.

Tregues të dobët janë edhe në komponentët e tjerë të marrë në studim për gjendjen në vendin e punës. 20% e të punësuarve shqiptarë përjetojnë zemërim të përditshëm, sipas raportit jemi më shumë të zemëruar se një vit më parë. Ndërkaq, 19% e punonjësve shqiptarë përjetojnë trishtim të përditshëm. Pavarësisht stresit, zemërimit dhe trishtimit në vendin e punës, 27% tyre janë punonjës të angazhuar, të dytët në Evropë, pas Rumanisë. Nga ana tjetër sa i përket klimës në tregun e punës, 54% e të punësuarve mendojnë se është një kohë e mirë për të gjetur një punë të re.

Ndërkohë shqiptarët janë ndër të fundit në Evropë, sa i përket zhvillimit dhe rritjes në vendin e punës. Raporti nxjerr në pah se vetëm 34% e të punësuarve në vend po përjetojnë “ecuri pozitive” në vendin e punës. 

Sondazhi Botëror i Gallup anketoi popullsinë e rritur të botës në më shumë se 160 vende e zona dhe të dhënat e mbledhura në vitin 2023 përfshijnë rezultate nga më shumë se 128 mijë të anketuar të punësuar. Përmes studimit u vlerësua shëndeti mendor dhe mirëqenia e punonjësve si dhe u mat angazhimi përmes përvojave pozitive dhe atyre negative./SyriNet