Dy dekada pas nisjes së punimeve, ura e madhe e rrugës së Kombit është drejt përfundimit, por përfaqësuesit e biznesit dhe shoqërisë civile ankohen se ky investim do ta izolojë edhe më tej bashkinë e Kukësit dhe fshatrat përreth.
Nga Bashkim Shala
Punimet për ndërtimin e urës së re mbi lumin Drini i Zi në Kukës kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe në fund të qershorit është planifikuar të lëshohet për qarkullim. Por ekspertët thonë se kjo vepër e madhe infrastrukturore e Rrugës Kombit, e dyta pas tunelit të Kalimashit, do të izolojë më tej Kukësin, Tropojën, Hasin dhe rrethinat e tyre.
Projekti mbyll hyrjet dhe daljet aktuale për në Kukës, ndërsa fshatra të njësive administrative të Mamëzit, Surroit, Arrënit e Malziut do duhet të udhëtojnë 8 kilometra vajtje- ardhje shtesë për shkak të saj.
“Ura e re është një imazh që nuk i përket Kukësit. Kjo urë nuk lidh harmonikisht, ekonomikisht, apo fizikisht qytetin e Kukësit. Vepra është një “brryl” që i bëhet Kukësit,” thotë Andrit Shehu, arkitekt dhe ish- drejtor i drejtorisë së planifikimit dhe zhvillimit të territorit në Bashkinë Kukës.
Ndërtimi i kësaj ure, sipas projektit, do të nxjerrë jashtë loje urën ekzistuese duke bllokuar njëherësh edhe hyrje-daljet historike në qytetin e Kukësit. Hyrje-daljet janë planifikuar të bëhen përmes Bypass-it të Gostilit, në një rrugë rreth katër kilometra më të gjatë dhe që sipas inxhinierit, nuk është aspak të përshtatshme për të përballuar fluksin e qarkullimit.
Edhe komuniteti i biznesit e përfaqësuesit e shoqërisë civile e shohin zgjatjen e rrugës për në qytetin e Kukësit si “politikë izolimi”.
Ndërkohë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, ARRSH, i lau duart nga problemi, duke thënë se “ky segment është pjesë e kontratës koncesionare”.
Por kompania koncesionare, Albanian Highway Concessions pretendoi se nuk kishte asnjë detyrim kontraktual për hyrje-daljet për bizneset dhe banorët në Kukës.
“I vetmi detyrim i yni do të jetë rampa në pjesën veriore të urës (kur vjen nga Kosova),” tha për “BIRN” Spartak Tumani, drejtor i Albanian Highway Consessions.
Ura vështirëson komunikimin
Ura e Madhe mbi lumin Drin është projektuar nga inxhinieri italian Giorgio Rizzo. Ajo ka një gjatësi totale prej 310 metra, ndërsa harku metalik ka një bazë prej 270 metrash, një lartësi prej 56 metrash dhe peshon rreth 5000 ton. Do të ketë 4 korsi, në dy kahet e lëvizjes me ndarës trafiku të ndërmjetëm dhe me kavo çeliku që fiksohen nga bazamenti në harkun e urës.
Në mars, kryeministri Edi Rama publikoi me mburrje në rrjetet sociale pamje nga punimet e fundit për ndërtimin e urës së re të Kukësit, duke këmbëngulur ndër të tjera se investimi ishte një ngjarje e madhe ekonomike për zonën.
“Investimi prej 30 milionë dollarësh e bën atë një ngjarje ekonomike për zonën dhe lidhjen e Shqipërisë me Kosovën,” shkroi Rama.
Por për banorët e qytetit të Kukësit, ura e re jo vetëm që nuk i shërben qytetit dhe rrethinave, por kthehet në një pengesë shtesë për lëvizjen e tyre dhe e kthen qytetin në një ishull të harruar.
“Nuk do ndalojë më njeri në Kukës, madje as kuksianët e larguar, të cilët gjatë udhëtimit për në Kosovë, ndaloheshin në Kukës. Qytetarët e Kukësit nuk kanë asnjë benefit. Do u ndalohet hyrja historike që nga viti 1978,”, thotë Andrit Shehu.
Drejtuesi i Qendrës për Progres Rinor, Rifat Demalija, kërkon reagimin e qytetarëve dhe të pushtetit lokal, pasi sipas tij ky projekt do të sjellë pamundësimin e jetesës në këtë qytet.
“Sipas projektit që po përfundon së shpejti, rezulton se nyja hyrëse e dalëse e qytetit të Kukesit për nga ura aktuale e Drinit të Zi ka ndryshuar. Pra, hyrja historike e Kukësit zhvendoset rreth katër kilometër më larg për në fshatin Gostil,” thotë për “BIRN” Demalija.
Ai shtoi se përfaqësuesit e shoqërisë civile kishin zhvilluar një takim me këshillin bashkiak mbi këtë problem tre vjet më parë dhe e kanë kundërshtuar projektin. Demalia shtoi se ky devijim shtonte problemet e trafikut, rrezikun nga aksidentet dhe se në fakt qyteti veçohej.
“Kukësi do anashkalohet nga vizitorët dhe turistët,” tha ai.
Për biznesin lokal, zgjatja me 4 kilometra dhe spostimi i hyrjes për në qytet është një problem shtesë pas tarifave që ata paguajnë për t'u lidhur me Durrësin dhe Tiranën.
“Nëse trau i pagesës na vështirëson jetën në Kukës, ky na detyron të gjejmë një rrugë dhe të largohemi nga qyteti,” thotë Sokol Kolgjini nga shoqata “Biznesi për Biznesin”.
Kolgjini ironizon projektuesit e rrugës dhe mënyrën se si ajo lidhet me qytetin. “Çdolloj infrastrukture duhet të lehtësojë komunikimin, por ky projekt e vështirëson atë. Do të jetë një kaos në trafik, sepse i gjithë trafiku për Has dhe Tropojë duhet të kaloj përmes qytetit, në një rrugë plot trafik si rruga e pazarit”, thotë për “BIRN” Kolgjini.
Autoritetet pa zgjidhje
Rruga hyrëse dhe dalëse nga ana juglindore e Kukësit është ndërtuar para viteve ‘90 të shekullit kaluar. Rruga u shërbente atëherë banorëve të disa fshatrave dhe kishte një trafik të kufizuar. Inxhinieri Andrit Shehu thotë për “BIRN” se ajo nuk është e përshtatshme për të përballuar qarkullimin dhe hyrje- daljet e të gjithë zonës.
Shehu thotë se gjatë kohës që punoi në bashki, ai mbajti dhjetra korrespondenca, përfshi me kryeministrin Rama për të kërkuar një projekt që do i shërbente edhe qytetit të Kukësit, por nuk mori përgjigje.
“Deri në momentin që unë jam larguar nga bashkia (6 muaj më parë) nuk ka pasë asnjë lloj dashamirësie nga instancat shtetërore për të dërguar një grup profesionistësh për të diskutuar për alternativat,” thotë ai.
Shehu thotë se zgjidhjet teknike për të ruajtur të pacënuar hyrjen e vjetër të qytetit kanë qenë të mundura, por propozimet nuk janë marrë parasysh.
“Janë 75 mijë banorë të qarkut të Kukësit që tashmë u duhet të aksesojnë qytetin përmes një hyrje aspak dinjitoze. Ndërkohë që koncesionari ka bërë bypass në zonën e Mirditës, edhe për fshatra me 10 shtëpi,” thotë ai.
Bashkia e Kukësit i tha BIRN se prej disa vjetësh ka kërkuar të njihet me projektin dhe zgjidhjen që u ofrohej banorëve të Kukësit. Bashkia vetë propozon një projekt shtesë prej gati 300 milion lekësh, për rikonstruksionin e rrugës hyrëse Ura e Drinit të Zi-Radio – Kukësi.
Në korrespondence me bashkinë, Ministria e Infrastrukturës përgjigjet se hyrja për në qytet ishte marrë në konsideratë nga ana e shoqërisë koncesionare.
“Nga ana e shoqërisë koncensionare, në projektin e propozuar për ndërtimin e Urës së Re mbi lumin Drin, është marrë në konsideratë lehtësimi i hyrje-daljeve në qytetin e Kukësit, duke shfrytëzuar urën dhe rrugën ekzistuese”, thuhet në një përgjigje që bashkia ka marrë dhe që iu vu në dispozicion BIRN.
Por në një komunik me BIRN, drejtuesit e kompanisë AHC-së thonë se ky nuk është një problem i tyri.
“Pjesa tjetër është problem social që duhet të gjejë zgjidhje nga qeveria dhe autoritetet vendore. Më konkretisht kërkohet një projekt i ri,” tha për “BIRN” Spartak Tumani, drejtor i Albanian Highway Consessions./Tema