Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, në takimin me komunitetin shqiptar në Nju-Jork, deklaroi se qeveria do të bëjë diçka të ndjeshme dhe të rëndësishme për t’i përfshirë pensionistët në hapësirën e re të rritjes ekonomike të Shqipërisë.

I pyetur nga një bashkatdhetare në SHBA për pensionet, Rama u shpreh se, “kjo është pyetja që bëhet përditë edhe në Shqipëri, dhe ky është pengu i madh edhe për mua, edhe për ne, flas si forcë politike, që është ende i pashlyer dhe që ka të bëjë me pensionistët”.

“Kjo nuk është një çështje, “mendo pak më shumë për ata”, sepse për hir të së vërtetës, ne, unë personalisht, mendojmë më shumë për ata sesa për këdo tjetër, sepse aty e shohim që çfarëdo që të themi ne, çfarëdo progresi që të kemi bërë, sido që t’i kemi rritur shifrat e ekonomisë, nëse nuk e çojmë rritjen ekonomike dhe tek ata, misioni ynë nuk është i përmbushur, sepse nga rritja ekonomike kanë përfituar të gjithë në Shqipëri,  përveç pensionistëve”, tha Rama.

“Sot të gjithë kanë paga shumë më të larta. E thashë, në sektorin publik e kemi çuar pagën mesatare 900 euro. Po të shikoni rritjen e Prodhimit të Përgjithshëm Kombëtar ose GDP-së, siç e dëgjoni ju këtu në Amerikë, ne kemi rritjen më të lartë në të gjithë rajonin, në raport me vetveten. Po kështu të ardhurat për frymë etj. Mirëpo kjo rritje nuk ka vajtur akoma tek pensionistët, dhe për këtë ne jemi duke u përpjekur aktualisht”, tha Rama.

“Por ama, janë ca gjëra që duhet të kuptohen pse. Dhe duhet të kuptohet çfarë bëjmë ne aktualisht. Se nuk është çështja që nuk bëjmë gjë aktualisht. Pensionet, ndryshe nga pagat, ndryshe nga të gjitha shpenzimet e tjera të shtetit, janë të lidhura drejtpërdrejt me kontributet e sigurimeve shoqërore të atyre që janë në punë dhe duke qenë se në vite nuk janë paguar kontributet e sigurimeve shoqërore, hendeku është bërë shumë i madh. Pensioni që dikush merr sot është faktikisht shuma e kontributeve që dikush tjetër paguan po sot nga paga. Dhe nëse ai dikushi tjetër nuk e paguan, atëherë pensionin duhet ta mbulojë shteti nga taksat”, tha Rama.

“Aktualisht që flasim ne mbulojmë gjysmë miliardi euro çdo vit për të paguar pensionet, sepse ndryshe, nuk del nga sigurimet. Mos harroni që një numër i madh shqiptarësh që kanë shkuar jashtë nuk kanë paguar sigurime shoqërore në Shqipëri. Dhe me të drejtë kthehen dhe thonë “duam të marrin pensionin”, dhe kur shohin pensionin thonë: “Si ka mundësi punova gjithë jetën, çfarë është ky pension?!” – tha Rama.

Për këtë arsye, shtoi kreu i qeverisë, “ne kemi bërë gjithë këtë përpjekje. E kemi gjetur vendin para 10 vitesh vetëm me 1 marrëveshje pensionesh dhe sot kemi mbi 20 marrëveshje dhe kemi arritur të nënshkruajmë dhe marrëveshjen me Italinë, që ishte më e vështira, për të bërë të mundur që gjithë ata që kanë punuar jashtë të marrin pensionin bazuar në sigurimet shoqërore që kanë derdhur jashtë, plus sigurimet shoqërore që kanë derdhur në Shqipëri, kur kanë punuar në Shqipëri”.

Pra, shtoi ama, “nuk është çështja që do qeveria apo nuk do qeveria. Çështja është e mundësive që kemi për të rritur pensionet në mënyrë domethënëse”.

“Ajo që po bëjmë është që qysh nga fundi i këtij viti të rrisim në mënyrë të ndjeshme bonusin e fundvitit, që dikur kur ne erdhëm në qeveri ishte 30 mijë lekë, ose 3 mijë lekë të reja. Aktualisht është 5 mijë lekë të reja. 50 euro dhe këtë duam ta rrisim në mënyrë të ndjeshme, ndërkohë që duam të fillojmë një plan rritjeje duke menduar që të vendosim një kusht në ligj që për çdo përqindje të rritjes ekonomike të vendit, një pjesë e rritjes ekonomike t’i shkojë drejtpërdrejt pensionistëve. Ky është plani. Tani, konkretizimi i këtij plani kërkon edhe pak kohë për ta shpallur, dhe pastaj kërkon disa vjet për t’u bërë”, tha Rama.

Por ama, shtoi kryeministri, “të gjithë ata që thonë na jepni votën, se do jua bëjmë pensionet nga 400, e nga 500, e nga 600, do jua bëjmë 700, 800, ata janë e njëjta mendje pavarësisht sesi e kanë fytyrën më të vjetër, më të re, më të freskët, më të lodhur që e ka marrë Shqipërinë më qafë në të gjitha vitet e mëparshme”.

“Se nëse reformat që ne kemi bërë të tjerët do t’i kishin bërë, jo që në ’91-in, por të paktën që në fillim të vitit 2000, sot do ishim duke bërë biseda të tjera. Por askush nuk mori përsipër reforma të vërteta, i lanë shqiptarët të mësoheshin me vjedhjen e dritave, me mospagimin e dritave, i lanë shqiptarët të mësoheshin me mospagimin e taksave, i lanë shqiptarët të mësoheshin me mospagimin e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, i lanë shqiptarët të ndërtonin pa leje ku të donin, madje i inkurajonin. I mësuan shqiptarët që të gjitha llojet e paligjshmërive mund të amnistoheshin, mjafton të votoje për partinë në pushtet, dhe praktikisht shkatërruan çdo qelizë në tru që donte shtet”, tha Rama.

“Kjo që po bëjmë ne është të ndërtojmë deri në fund shtetin dhe vula e këtij ndërtimi të shtetit është anëtarësimi në BE, sepse aty s’të pranon njeri pa shtet”, theksoi Rama.

“Dhe përgjigjja e drejtpërdrejt për zonjën dhe të gjithë ata që janë të interesuar për temën e pensioneve është që po ne do të bëjmë diçka të ndjeshme dhe të rëndësishme për t’i përfshirë pensionistët në të gjithë këtë hapësirë të re të rritjes ekonomike”, tha Rama./ata