Tre palestinezë u vranë dhe dy të tjerë u plagosën në bastisjet e ushtrisë izraelite të dielën në qytetet e Bregut Perëndimor Tulkarm dhe Nablus, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë dhe agjencisë lokale të lajmeve Wafa.
Ministria në deklaratën e saj identifikoi dy nga viktimat si Nabil Atta, 19-vjeç dhe Mohmmad Fayez, 36-vjeç, të cilët humbën jetën nga plumbat izraelitë në kampin e refugjatëve Tulkarm.
Televizioni shtetëror i Palestinës tha se forcat izraelite rrethuan një shtëpi brenda kampit dhe penguan ambulancat të arrinin në zonë.
Të dielën në mbrëmje, një tjetër i ri palestinez u vra nga të shtënat e ushtrisë izraelite në veri të Bregut Perëndimor, duke e çuar numrin në tre dhe numrin total të palestinezëve të vrarë në rajon që nga 7 tetori në 399.
Wafa raportoi se i riu u vra pranë pikës së kontrollit Beit Furik në lindje të qytetit Nablus.
Agjencia citoi burime palestineze të sigurisë të kenë thënë se forcat okupuese izraelite qëlluan në Anas Jameel Dwaikat, pa përmendur moshën e tij.
Ai u plagos rëndë dhe më vonë iu nënshtrua plagëve të marra, sipas agjencisë.
Gati 4.500 palestinezë janë plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas shifrave të publikuara nga Ministria e Shëndetësisë.
Izraeli është akuzuar për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë për ofensivën e tij të pamëshirshme në Rripin e Gazës, ku janë vrarë rreth 29.000 palestinezë, duke shkaktuar shkatërrim masiv dhe mungesë të gjërave elementare.
Vendimi i përkohshëm i gjykatës me bazë në Hagë në janar, urdhëron Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza./aa